Politike

Vendimi i GJKKO për Ballukun: Ekziston mundësia e prishjes së provave

21 Nëntor 2025, 10:55 Nga DOSJA
Vendimi i GJKKO për Ballukun: Ekziston mundësia e prishjes
GJKKO

TIRANË- Vendimi i Gjykatës së Posaçme ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku është zbardhur. Mësohet se për dhënien e masave të sigurisë, Gjykata argumenton se zyrtarja e lartë ka rrezik potencial për të kryer të njëjtën vepër penale siç është shkelja e pabarazisë në tendera, për të cilat ajo aktualisht është marrë e pandehur në dy raste.

Ndër të tjera gjykata shprehet se për shkak të dy funksioneve publike që mban zonja Balluku, ajo mund të ndikojë në prishjen e provave dhe intimidimi i dëshmitarëve.

 “Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë.

Në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet,” thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Ministrja Balluku është marrë e pandehur rreth tre javë më parë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Deri më tani ajo është zyrtarja më e lartë e qeverisë Rama, e cila ndodhet nën akuza nga Prokuroria e Posaçme. 

Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH./Dosja.al

Sondazh

Poll