Politike

Projektbuxheti 2026! Ministri Malaj: Rriten pensionet e pagat, përgatitet vendi drejt BE-së! Investimet publike parashikohen me vlerë 1.8 miliardë euro

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2026, Malaj tha se të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen të arrijnë në 823.1 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 52.9 miliardë lekësh krahasuar me 2025-ën.

19 Nëntor 2025, 15:52 Nga M.L
Projektbuxheti 2026! Ministri Malaj: Rriten pensionet e pagat, përgatitet
Petrit Malaj

TIRANAMinistrit i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot në Kuvend se institucioneve publike do t’u vihen në dispozicion 886 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë euro. Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2026, Malaj tha se të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen të arrijnë në 823.1 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 52.9 miliardë lekësh krahasuar me 2025-ën.

Malaj shtoi se shpenzimet totale do të ngjiten në 886.8 miliardë lekë, rreth 55 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, çka përkthehet në rreth 550 milionë euro fond shtesë për vitin 2026. Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e projektbuxhetit lidhet me reformën e pensioneve, ku për vitin e ardhshëm parashikohet një formulë e re rritjeje, e cila do të shoqërohet me bonuse të përmuajshme.

Sipas skemës së re, Malaj deklaroi se deri në fund të mandatit pritet që pensioni urban me vite të plota pune të arrijë në 40 mijë lekë, pensioni urban i pjesshëm të ngjitet mesatarisht në 22 mijë lekë, pensioni rural të shkojë në 18 mijë lekë, pensioni familjar po ashtu në 18 mijë lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit në 30 mijë lekë.

Ministri shtoi më tej se investimet publike për vitin 2026 janë parashikuar në rreth 1.8 miliardë euro. Ai tha se brenda kësaj shume përfshihen 50 milionë euro të destinuara për procesin e rindërtimit dhe 68 milionë euro që priten nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian. Për vitin aktual, investimet llogariten në 1.6 miliardë euro.

Për vitin 2025, rritja ekonomike vlerësohet në 3.9%, ndërsa për periudhën 2026–2028 parashikohet një rritje mesatare prej 4%.

“Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet Buxhetore, parashikohen në vlerën 886.8 miliardë lekësh, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. Pra kemi një rritje me rreth 550 milionë euro më shumë në 2026 në krahasim me vitin 2025.

Në fund të këtij viti, pensionistët tanë të nderuar, sikundër e kemi premtuar, do të marrin Bonusin e Fundvitit. Në fillim të vitit që vjen, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve, për të arritur deri në fund të mandatit. Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot.

Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është sot. Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht.

Ky projektbuxhet është kontrata jonë me qytetarët e Shqipërisë. I përgjigjet premtimeve tona në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, dhe përgatit vendin për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Nuk është thjesht dhe vetëm një plan të ardhurash dhe shpenzimesh, por është arkitektura mbi të cilën mbështeten objektivat strategjikë të kësaj qeverie, për periudhën 2025–2029.

Për vitin që po mbyllet, rritja ekonomike parashikohet në 3.9% në terma vjetorë, duke reflektuar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Edhe për periudhën afatmesme, 2026-2028, ne jemi optimistë pasi parashikojmë një rritje mesatarisht në 4%”, tha ministri./ Dosja.al

petrit malaj seance plenare

Sondazh

Poll