Aktualitet

Veriu i vendit nën kaos total! Reshjet e shiut shkaktojnë dëmtime rrugësh dhe urash në Qarkun e Kukësit dhe Tropojës, ja si paraqitet gjendja

Në Bashkinë Kukës, situata paraqitet e vështirë në disa njësitë administrative, ku në Ujmisht rrugët e fshatrave Lusën, Malqenë dhe Tejdrinë janë bllokuar nga gurët dhe inertet, ndërsa në Zapod janë shënuar prurje të mëdha nga përrenjtë që kanë dëmtuar rrugët lokale.

18 Nëntor 2025, 19:59 Nga M.L
Veriu i vendit nën kaos total! Reshjet e shiut shkaktojnë dëmtime
Foto ilustruese

KUKËS- Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në rrugët nacionale, duke krijuar rreziqe për qarkullimin, por ekipet kontraktore po punojnë intensivisht për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të akseve, të cilat aktualisht janë të qarkullueshme.

Në Bashkinë Kukës, situata paraqitet e vështirë në disa njësitë administrative, ku në Ujmisht rrugët e fshatrave Lusën, Malqenë dhe Tejdrinë janë bllokuar nga gurët dhe inertet, ndërsa në Zapod janë shënuar prurje të mëdha nga përrenjtë që kanë dëmtuar rrugët lokale.

Në Kolsh, rrugët e fshatrave Myç-Mamëz dhe Mamëz në aksin Kukës–Surroj janë dëmtuar, ndërsa në fshatin Bele erërat kanë shkaktuar dëmtime në mbulesën e një qati të shkollës.

Në Bashkinë Tropojë, reshjet kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në disa ura të rëndësishme për komunitetin, ku ura e Mërturit në Lekbibaj është bërë e pakalueshme për shkak të dëmtimeve të dërrasave dhe përdoret kryesisht nga nxënësit e zonës, ndërsa ura në Vicidol kërkon zëvendësim të dërrasave dhe ura tjetër në të njëjtin fshat është e dëmtuar në këmbët mbajtëse dhe shfrytëzohet kryesisht për kalimin e bagëtive.

Po ashtu, ura në Klysyre ka pësuar dëmtime nga reshjet dhe amortizimi, ndërsa ura e vjetër me tel në Dragobi paraqet rrezik për banorët gjatë kalimit.

Në Bashkinë Has, reshjet kanë dëmtuar të gjitha rrugët e njësive administrative, duke përfshirë fshatrat Fajza, Vranisht, Trektan, Metaliaj, Liqekuq, Nikoliq, Vlahën, Peraj, Kosturr, Qarr, Gajrep, Rada, Zarishte dhe Cahan, ndërsa Bashkia po punon për riparimin e tyre. Furnizimi me energji elektrike është i pranishëm në të gjithë qarkun, përveç disa njësive administrative në Kukës, fshatit Berishë dhe Lekbibaj.

qarku kukes reshje te dendura shiu

Sondazh

Poll