Politike

Dosja Veliaj në GJKKO/ Mbahet sot seanca e radhës paraprake, pritet të vendoset nëse kalon apo jo për gjykim

E përfshirë në këtë dosje përveç Veliajt është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera.

17 Nëntor 2025, 08:22 Nga E. D
Dosja Veliaj në GJKKO/ Mbahet sot seanca e radhës paraprake, pritet
Erion Veliaj

TIRANË- Seanca e radhës paraprake për dosjen e “Veliaj”, do të mbahet sot në GJKKO. E përfshirë në këtë dosje përveç Veliajt është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera. Kryebashkiaku i Tiranës, akuzohet për një sërë veprash penale.

Në seancën e kaluar, prokurori Altin Dumani prezantoi një material të përmbledhur prej 50 faqesh, duke kërkuar kalimin e dosjes për gjykim.Ndërsa, avokatja e biznesmenit Elman Abule kërkoi pushimin e çështjes, ose në alternativë gjykim të shkurtuar. Sakaq, avokatët e personave të tjerë kërkuan kohë për t’u shprehur.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

 

erion veliaj

Sondazh

Poll