Politike

Berisha akuza në Kuvend: I keni hequr çdo kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm dhe tani lexoni një rezolutë që është një nekrologji për reformën

Sipas Berishës, i vetmi funksion që i ka mbetur kryeprokurorit është ai i përfaqësimit të shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare si prokuror.

27 Tetor 2025, 13:49 Nga M.L
Berisha akuza në Kuvend: I keni hequr çdo kompetencë Prokurorit
Sali Berisha

TIRANA- Kryeprokurori Olsian Çela po raporton sot në Kuvend e kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Çelës i janë hequr të gjitha kompetencat. Sipas Berishës, i vetmi funksion që i ka mbetur kryeprokurorit është ai i përfaqësimit të shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare si prokuror.

Berisha: Ftoj çdo deputet në këtë sallë të hapë Kushtetutën. Dhe në qoftë se lexoni Kushtetutën, ai zotëri, nuk ka në mënyrë absolute asnjë tagër në Kushtetutë për ato që i thoni ju rezolutë. Se e kanë zhveshur nga çdo lloj kompetence, të jemi të vërtetë, dhe e thërrasin sikur të ishte me Kushtetutën e vjetër. Ju lexuat një rezolutë me seri nenesh duke shtruar kërkesa, të cilat Kushtetuta dhe ligji nuk ia njeh asnjë atij. Prandaj dhe pse e ngrita këtë? Ai nuk ka përgjegjësi, se ai ka ardhur në parlament për të referuar.

Por këtë e ngrita për shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë që dëshmohet. Nuk ka asnjë lidhje me parlamentin. Nuk ka asnjë fuqi mbi prokurorët se ia ka KLP-ja. Është, sipas këtij libri, përfaqësues në marrëdhënie ndërkombëtare i shtetit shqiptar si prokuror. Kaq. Prandaj të mos bëjmë gjëra të tilla. Të mos bëjmë gjëra të tilla! I keni hequr çdo kompetencë dhe tani lexoni një rezolutë, e cila në fakt është një nekrologji, jo për personin, por për Prokurorin e Përgjithshëm. Për reformën. Kjo është e vërteta. Të paktën, kur vini në parlament, kur zgjidheni, lexojeni Kushtetutën se do iu ndihmojë./ Dosja.al

sali berisha olsian cela kuvend

Sondazh

Poll