Aktualitet

Zbulohet magazina me preparate bujqësore të skaduara në Fushë-Krujë, në pranga 35-vjeçari

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli në një magazinë në pronësi të shtetasit E. D., 35 vjeç, shërbimet e Policisë zbuluan preparate bujqësore me afat përdorimi të ndryshuar artificialisht.

23 Tetor 2025, 15:26 Nga M.L
Zbulohet magazina me preparate bujqësore të skaduara në
Foto ilustruese

FUSHË KRUJË- Policia e Fushë-Krujës ka goditur një rast abuzimi me tregtimin e preparateve bujqësore, duke sekuestruar sasi të konsiderueshme produktesh të skaduara, të cilave u ishte ndryshuar në mënyrë të paligjshme afati i përdorimit. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli në një magazinë në pronësi të shtetasit E. D., 35 vjeç, shërbimet e Policisë zbuluan preparate bujqësore me afat përdorimi të ndryshuar artificialisht.

Hetimet paraprake treguan se 35-vjeçari u kishte shtyrë afatin e skadencës me një vit më shumë se ai i miratuar nga Ministria e Bujqësisë, duke i tregtuar më pas në treg si produkte të vlefshme. Nga verifikimet, rezultoi se këto preparate kishin një afat përdorimi 2 vjet nga data e prodhimit, ndërsa pronari u kishte vendosur etiketa të reja, ku shënohej një afat përdorimi 3 vjet nga data e prodhimit.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi qindra etiketa ngjitëse, të cilat përdoreshin për të manipuluar datat e përdorimit të produkteve.

“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Expiration”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).  

Shiste produkte bujqësore të skaduara, vihet në pranga 35-vjeçari. 

Në magazinën e këtij shtetasi, në Fushë Krujë, u gjet një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore të cilave ky shtetas iu ka shtyrë afatin e skadencës, duke iu vendosur etiketa të reja. 

 Në zbatim të planit të masave për kontrollet në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore dhe bujqësore të skaduara, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me AKU-në, organizoi dhe finalizoi në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Expiration”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi E. D., 35 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnje. 

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka shitur një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore për mbrojtjen e bimëve, të cilave iu ka shtyrë afatin e skadencës, me 1 vit më shumë se ai i miratuari nga Ministria e Bujqësisë.      

Gjatë kontrollit të kryer në bashkëpunim me punonjësit e AKU-së, në magazinën e këtij shtetasi, në Fushë Krujë, u  konstatua një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore, me afat përdorimi 2 vjet nga viti i prodhimit, të cilave ky shtetas iu kishte vendosur etiketa që përcaktonin afat përdorimi 3 vjet nga data e prodhimit.  

Gjithashtu, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, qindra etiketa me ngjitje, në të cilat ishte ndryshuar afati për përdorimin e produkteve bujqësore.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./ Dosja.al

policia e fushë-krujës

Sondazh

Poll