Bota

"Koha për të ndalur vrasjet"! SHBA sanksionon kompanitë gjigante ruse të naftës: Moska ta pranojë armëpushimin

Trump kishte paralajmëruar prej javësh mundësinë e vendosjes së masave ndëshkuese ndaj Rusisë, por kishte hezituar ta bënte këtë deri më tani.

23 Tetor 2025, 08:18 Nga E. D
"Koha për të ndalur vrasjet"! SHBA sanksionon kompanitë
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shpallur të mërkurën sanksione të reja ndaj dy prej kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, duke i bërë thirrje Moskës që të pranojë një armëpushim të menjëhershëm në luftën me Ukrainën. Trump kishte paralajmëruar prej javësh mundësinë e vendosjes së masave ndëshkuese ndaj Rusisë, por kishte hezituar ta bënte këtë deri më tani.

“Tani është koha për të ndalur vrasjet dhe për të arritur një armëpushim të menjëhershëm. Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Departamenti i Thesarit po ndërmerr masa ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, të cilat financojnë makinën e luftës së Kremlinit,” deklaroi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, teksa njoftoi për sanksionet.

Menjëherë pas njoftimit për sanksionet, presidenti Trump konfirmoi se ka anuluar takimin e planifikuar me homologun rus, Vladimir Putin, në Budapest.

“E anulova takimin me presidentin Putin. Nuk më dukej se ishte momenti i duhur dhe as se do të arrinim ndonjë rezultat konkret. Prandaj vendosa ta anuloj,” u shpreh Trump.

Trump tha se shpreson që sanksionet e shpallura pak më parë nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së kundër dy grupeve të mëdha ruse të naftës do të jenë jetëshkurtra dhe se ato do të kontribuojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan sqaroi se do të diskutojë çështjen e paqes në Ukrainë gjatë takimit të tij të ardhshëm me presidentin kinez Xi Jinping, duke e përshkruar atë si me rrezik të lartë dhe thelbësor për stabilitetin ndërkombëtar. Ai shtoi se dëshiron një marrëveshje dypalëshe tregtare me presidentin kinez dhe se do të ngrejë shqetësime në lidhje me blerjen e naftës ruse nga Pekini./Dosja.al

donald trump

Sondazh

Poll