Aktualitet

Dosja e Bashkim Dedjas/ Gjykata e Lartë rikthen për rigjykim në Apel çështjen ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Bëhet me dije se Gjykata e Lartë ka urdhëruar kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por me një trup gjykues tjetër nga ai që kishte shqyrtuar më parë çështjen.

21 Tetor 2025, 14:29 Nga E. D
Dosja e Bashkim Dedjas/ Gjykata e Lartë rikthen për rigjykim në
foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Lartë ka prishur vendimin ndaj ish-kryetari të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedjan. Bëhet me dije se Gjykata e Lartë ka urdhëruar kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por me një trup gjykues tjetër nga ai që kishte shqyrtuar më parë çështjen.

Më herët SPAK kishte kërkuar një vit burg me akuzën e fshehjes së pasurisë, por GJKKO-së e dënoi me 6 muaj, të cilat iu konvertuan në një vit shërbim prove. Sipas SPAK Bashkim Dedja ka fshehur një apartament në formularin e vetëdeklarimit teksa ishte gjyqtari i parë që dënohej nga GJKKO, pasi nuk kaloi Vetting-un.

Apeli i GJKKO-së vendosi më 13 shkurt 2024 të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për deklarimin fajtor të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim, masë e cila u pezullua në këmbim të vendosjes në shërbim prove për një vit.

Dedja e kaloi shkallën e parë të vetting-ut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait. Hetimet ndaj tij nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

Në atë kohë, SPAK siguroi në Gjykatën e Posaçme një urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfaqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas. Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese u deklarua dhe u dënua në Shkallën e Parë më 26 qershor 2023, për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”./Dosja.al

bashkim dedja gjykata e lartë

Sondazh

Poll