Politike

Apeli i GJKKO ‘rihap’ dosjen e kryebashkiakes se Lushnjës, Eriselda Sefa nën hetim për falsifikim dokumentash

Në fillim SPAK kërkoi pushimin e çështjes dhe shkalla e parë e GJKKO e aprovoi këtë. Por qytetari me iniciale A.H e ankimoi vendimin në Apelin e GJKKO-s.

21 Tetor 2025, 13:29 Nga I.A
Apeli i GJKKO ‘rihap’ dosjen e kryebashkiakes se Lushnjës,
Eriselda Sefa

TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të rihapë dosjen ndaj kryebashkiakes së Lushnjes Eriselda Sefa. Në fillim SPAK kërkoi pushimin e çështjes dhe shkalla e parë e GJKKO e aprovoi këtë. Por qytetari Altin Haxhiu e ankimoi vendimin në Apelin e GJKKO-s.

Mësohet se rihapja e hetimit ndaj Sefës ka nisur më 30 shtator. Ajo ndodhet nën hetim mbi një kallëzim për falsifikim dokumentësh dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Vendimi vjen pas një kallëzimi të bërë nga Haxhiu, i cili pretendon se Sefa dhe Këshilli Bashkiak i Lushnjes kanë kryer shkelje në procedurën e dhënies me qira të një pasurie publike në qendër të qytetit, konkretisht një ambient në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.

Sipas kallëzuesit, në dokumentacionin zyrtar ka pasur falsifikime, përfshirë procesverbalet e dëgjesave publike dhe projektin për dhënien me qira të ambientit në fjalë. Hetimet janë tashmë në fazën fillestare dhe pritet të hedhin dritë mbi veprimet e pretenduara të paligjshme nga ana e kryebashkiakes socialiste.

Njoftimi i GJKKO: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:

- Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime. - Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve. U vendos në Tiranë, me datë 30.09.2025 ora 12:45./Dosja.al

eriselda sefa

Sondazh

Poll