Bota

Ukraina nuk gjen qetësi/ Rusia godet infrastrukturën energjetike, Kievi pa energji elektrike

Kremlini ka goditur përmes sulmeve ajrore objektet energjetike dhe sistemeve hekurudhore të Ukrainës.

10 Tetor 2025, 08:08 Nga E.d
Ukraina nuk gjen qetësi/ Rusia godet infrastrukturën energjetike,
Foto ilustruse

UKRAINË - Rusia ka sulmuar sërish Ukrainën, por këtë herë më fokus Kievin. Kremlini ka goditur përmes sulmeve ajrore objektet energjetike dhe sistemeve hekurudhore të Ukrainës.
 
"Kryeqyteti i vendit është nën një sulm me raketa balistike armike dhe një sulm masiv nga dronët sulmues të armikut", thanë forcat ajrore ukrainase, duke i nxitur njerëzit në Kiev të qëndrojnë në strehimore.
 
Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se forcat ruse kishin synuar infrastrukturën kritike dhe kishin plagosur të paktën nëntë persona, pesë prej të cilëve u dërguan në spital. Ai lajmëroi se kishte gjithashtu probleme me furnizimin me ujë dhe energjinë elektrike. Ministrja ukrainase e Energjisë Svitlana Grynchuk tha se forcat ruse po shkaktonin një sulm masiv në rrjet.
 
"Punonjësit e energjisë po marrin të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar pasojat negative.
Sapo të lejojnë kushtet e sigurisë, punonjësit e energjisë do të fillojnë të sqarojnë pasojat e sulmit dhe punën e restaurimit", shkroi Grynchuk në Facebook.
 
Mediat e huaja shkruan se Rusia goditi gjithashtu edhe rajonin juglindor të Zaporizhzhias, me të paktën shtatë sulme me dronë, duke vrarë një shtatëvjeçar dhe duke plagosur të paktën tre persona. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Moska po kërkonte të krijonte kaos dhe të ushtronte presion psikologjik, përmes rrënimit të objekteve energjetike dhe hekurudhave.
 
Sipas Zelensky, sulmet ruse këtë vit kanë tendosur tashmë infrastrukturën e gazit ukrainas dhe më shumë sulme mund ta detyrojnë vendin e tij të rrisë importet. Ukraina ka rritur gjithashtu sulmet e saj me dronë dhe raketa në territorin rus, një taktikë që Zelensky tha se po tregonte rezultate dhe po rriste çmimet e karburantit në Rusi./Dosja.al

lufta ukraine-rusi kremlin kiev

Sondazh

Poll