Politike

“Të hetohen ish-ministrat e Brendshëm dhe të dorëhiqet Koçiu", vrasja e gjyqtarit, Salianji: Dështim i shtetit

Si anëtar i Kryesisë së PD-së, Salianji ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, e cila deklaroi se Policia nuk kishte përgjegjësi për sigurinë në gjykata.

7 Tetor 2025, 15:50 Nga M.L
“Të hetohen ish-ministrat e Brendshëm dhe të dorëhiqet
Ervin Salinaji

TIRANA- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj ish-ministrave të Brendshëm, për shkak të dështimeve në garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore dhe mbrojtjes së magjistratëve nga Policia e Shtetit. Kjo thirrje vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra në detyrë gjyqtari Astrit Kalaja.

Si anëtar i Kryesisë së PD-së, Salianji ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, e cila deklaroi se Policia nuk kishte përgjegjësi për sigurinë në gjykata.

Përmes një reagimi në Facebook, Salianji ka komentuar gjithashtu një shkresë të publikuar sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), që lidhet me masat që duhet të kishte marrë Policia e Shtetit për ruajtjen e sigurisë në institucionet gjyqësore.

Postimi:

Pas publikimit të shkresave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është e qartë se zinxhiri institucional që duhej të garantonte sigurinë e trupës gjyqësore ka dështuar. Ky dështim nuk është rastësor është pasojë e një qeverisjeje që prej vitesh ka shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës.

Ish-ministrat e Brendshëm duhet të merren menjëherë nën hetim për shpërdorim detyre, ndërsa ministrja aktuale e Brendshme duhet të japë dorëheqjen pa vonesë. Kjo është përgjegjësi ligjore dhe morale, në një vend ku siguria e gjyqtarëve po cenohet nga paaftësia dhe mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin.

Qeveria ka lënë me vetëdije të pambrojtur gjyqtarët dhe prokurorët, duke u fshehur pas justifikimeve të turpshme se “nuk ka përgjegjësi”.

Në të vërtetë, ajo është përgjegjësja kryesore për krijimin e klimës së frikës dhe konfliktit social,lejimin e qarkullimit lirisht të armëve dhe personave të rrezikshëm, zhveshjen e policisë nga autoriteti dhe shndërrimin e saj në një instrument partie, dorëzimin e territorit në duart e bandave dhe strukturave kriminale.

Ky është momenti për përgjegjësi politike, hetim penal dhe veprim institucional jo për heshtje dhe justifikime. Kur gjyqtari vritet në zyrë, bie besimi te shteti./ Dosja.al

ervin salianji reagim ne facebook

Sondazh

Poll