Politike

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ CNN: Ngrihen shqetësime serioze për sigurinë në institucionet e drejtësisë në Shqipëri

Media amerikane shton se vrasja ka ndodhur në një moment kur tensionet lidhur me konfliktet e pronësisë, zvarritjet e proceseve dhe besimi ndaj sistemit gjyqësor janë ende të larta.

7 Tetor 2025, 09:08 Nga I.A
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ CNN: Ngrihen shqetësime serioze për
Vendngjarja

 

TIRANË- Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda gjykatës së Apelit në Tiranë. CNN shkruan se sulmi ndodhi në një vend që ka ndërmarrë prej vitesh reforma të thella në drejtësi, por që përballet ende me sfida të mëdha në funksionimin e sistemit. 

Media amerikane shton se vrasja ka ndodhur në një moment kur tensionet lidhur me konfliktet e pronësisë, zvarritjet e proceseve dhe besimi ndaj sistemit gjyqësor janë ende të larta.

Artikulli i Plotë:

Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës u qëllua për vdekje të hënën nga një burrë i përfshirë në një gjyq, njoftoi policia shqiptare. Astrit Kalaja, gjyqtar i njohur në sistemin e drejtësisë, u qëllua brenda sallës së gjyqit nga një i dyshuar 30-vjeçar me inicialet E.Sh. Kalaja ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit, si pasojë e plagëve të marra.

Sipas autoriteteve, autori i armatosur qëlloi edhe dy persona të tjerë të pranishëm në sallë. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Policia njoftoi se autori u largua me vrap nga vendngjarja, por u arrestua pak orë më vonë, ndërsa iu gjet dhe arma e përdorur në krim një revole.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi motivin e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake të publikuara në faqen e gjykatës, rezulton se çështja kishte lidhje me një konflikt prone.

Ngjarja ka ndodhur në një kontekst ku Shqipëria, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ka ndërmarrë reforma të thella në sistemin gjyqësor që nga viti 2016. Megjithatë, sistemi vijon të përballet me sfida serioze, përfshirë vonesat shumëvjeçare të mijëra çështjeve, por edhe tensionet e rritura në çështje delikate si ato të pronave. Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së gjyqit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe për klimën e tensionuar që vijon të shoqërojë procese të caktuara gjyqësore në vend.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën./Dosja.al

astrit kalaja

Sondazh

Poll