Aktualitet

Kultura në myk e rrënojë/ Monumentet që shemben nën sytë e shtetit nga thesare historike në vatër infeksioni

Shtëpitë e Hamitit dhe Xhevdetit ndodhen nën të njëjtin kulm, por pavarësisht statusit të tyre të veçantë ato sot janë lënë në mëshirë të fatit dhe janë gati drejt degradimit total.

3 Tetor 2025, 22:58 Nga I.A

Kultura në myk e rrënojë/ Monumentet që shemben nën

SHKODËR- Banesat e Hamit dhe Xhevdet Llujës në lagjen Dudas në Shkodër, mbajnë statusin si monument kulture të kategorisë së parë që prej vitit 1977. Banesat në fjalë shquhen për disa vlera të veçanta, sepse janë ndërtuar bazuar në stilin oriental, me punime druri e hekuri dhe guri me eksponate muzeale me merita historike.

Shtëpitë e Hamitit dhe Xhevdetit ndodhen nën të njëjtin kulm, por pavarësisht statusit të tyre të veçantë ato sot janë lënë në mëshirë të fatit dhe janë gati drejt degradimit total.

Ferid Lluja, pinjolli i kësaj familjeje, është i vetmi që kujdeset për të dyja banesat dhe ai shprehet i zhgënjyer për “Piranjat”, që shteti nuk e ka ndihmuar për t’i mirëmbajtur këto pasuri.

“Para viteve ’90 janë bërë restaurime të pjesshme, pas ’90 është bërë një ndërhyrje gjithmonë pa pasur mbështetje, vetëm me një simbolikë dhe të gjitha të tjerat i kemi hequr ne si familje, duke e mbajtur në këtë gjendje, por gjë tjetër nuk është bërë këtu”, tregoi Ferid.

Për shkak se çatia është shembur në njërën anë, ka sjellë probleme edhe në anën tjetër të banesës, në të cilën jeton sot Ferid Lluja së bashku me familjen e tij.

“Duke u shkatërruar çatia andej, ka bërë tërheqjen edhe të banesës tjetër. Ka hapur hapësirën ku reshjet futen, gjithashtu edhe infeksionet që janë krijuar nga dëmtimet, nga kalbëzimet, nga myqet dhe këto janë rrezik për ne”, shprehet Feridi.

Pinjolli i familjes Lluja thotë se i ka vënë në dijeni herë pas here institucionet për kushtet e banesës, por nuk ka marrë asnjëherë një përgjigje konkrete.

Ndërkohë, Helidon Sokoli, drejtori i sapoemëruar në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, premtoi se këtë rast do e ndjekë me prioritet për t’i dhënë një zgjidhje sa më shpejt. Ai tha se do të organizojë një grup pune për të parë situatën në terren, do të përgatisin një projekt së bashku me preventivin dhe më pas do të aplikojnë për fonde në Ministrinë e Kulturës, duke qenë se projektet e restaurimit kapin vlera shumë të larta./Piranjat.al

xhevdet lluja

Sondazh

Poll