Aktualitet

Ku mbaron privatësia dhe fillon njerëzia?

3 Tetor 2025, 22:09 Nga Jonida Shehu
Ku mbaron privatësia dhe fillon njerëzia?
Jonida Shehu

Nuk e di a e patë atë çfarë ndodhi në funeralin e familjarit të Gjestit. Në një nga momentet më intime, më njerëzore, më të dhimbshme – ai momenti kur i thua lamtumirë përgjithmonë njeriut të dashur – dhjetëra celularë ishin të ndezur duke bërë foto me flash. Jo dhjetë metra larg… por një metër larg. Madje një pëllëmbë larg. Njerëz, që supozohet të jenë aty për të mbështetur familjen në dhimbjen e vet, dukej sikur ishin në finalen e Champions-it, jo në një funeral.

Sot… një traditë e shenjtë, përcjellja e të ndjerit, u kthye në spektakël.
Unë mendoj se e kemi humbur përfundimisht betejën me obsesionin për të fotografuar gjithçka, për të jetuar më shumë si dëshmitarë sesa si protagonistë të jetës sonë. Këtë, nuk e ndryshojmë dot më. Mbase e rregullon evolucioni i species.

Por… ka një gjë që s’na e rregullon dot as evolucioni, as teknologjia, as predikimi. Pikën se ku humbasim thelbin e të qenit njeri. Thënë ndryshe, ku fillon çnjerëzia. Pikën ku ky fiksim për të publikuar çdo gjë, edhe dhimbjen e tjetrit, kthehet në persekutim.

Po pyes: A ka njeriu – qoftë edhe VIP-i më i famshëm – të drejtë për një fije privatësi? Për një moment dhimbjeje që s’ka pse të ndahet me të gjithë?

Ne e dimë, ju e dini, unë e di: shumë prej VIP-ave të rrjetit jetojnë me këtë vëmendje. E kërkojnë me fiksim, e shesin, e blejnë, e përdorin. Një postim i tyre paguhet më shumë se rroga mesatare e 4-5 muajve. Shumë nga ta bëjnë gjithçka që të rrinë në qendër të vëmendjes.

Por a duhet t’i lemë vetëm kur janë në momentet më të brishta? A duhet t’u respektojmë dhimbjen?
E vërteta është se, VIP-at, edhe pse e duan vëmendjen, ajo vjen përherë me një çmim. Shpesh ai çmim është depresioni. Ankthi. Vetmia. Humbja e vetvetes.

Kështu që pyetja nuk është për ta. Pyetja është për ne. Çfarë duam të bëjmë ne? A duam të kthejmë kuriozitetin publik në persekutim publik? Ta përndjekim dikë jo vetëm në jetën publike, por edhe në rrugë, në lokal, në dhomën e gjumit… deri edhe në varreza?

Thonë se privatësi për figurat publike nuk ka. Por njerëzi… Nëse nuk mund t’ua japim privatësinë… të paktën, t’i respektojmë me njerëzi. Jo për ta, po për veten tonë./Piranjat.al

jonida shehu

Sondazh

Poll