Aktualitet

"Duam test toksikologjik, jo ADN-je"/18-të ditë në grevë urie, Pano Ruci dhe bashkëshortja: Duam të mësojmë shkakun e vdekjes së djalit tonë

Siç raportohet, Ruci përgënjeshtroi lajmet se ka refuzuar ndihmën mjekësore nga urgjenca, duke theksuar se u vizitua nga mjek dhe është nën kontroll shëndetësor.

2 Tetor 2025, 19:10 Nga E. D
"Duam test toksikologjik, jo ADN-je"/18-të ditë në
Pano Ruci

GREQI- Shqiptari Pano Ruci vijon për të 18-ën ditë grevën e urisë në Sheshin Sintagma të Athinës, duke këmbëngulur se zhvarrosja e djalit të tij, Dennis Routsi, nuk është e mjaftueshme, por se duhet të kryhen edhe analizat e duhura. Siç raportohet, Ruci përgënjeshtroi lajmet se ka refuzuar ndihmën mjekësore nga urgjenca, duke theksuar se u vizitua nga mjek dhe është nën kontroll shëndetësor.

“Dua t’i theksoj edhe një herë qeverisë të mos guxojë të bëjë nxjerrjen nga varri pa miratimin tim. Ne nuk kërkojmë vetëm test ADN-je. Kërkojmë toksikologji. Kjo duhet të kuptohet shumë mirë”, deklaroi Ruci për kamerën e Orange Press Agency.

Ndërsa bashkëshortja e tij, Mirela Ruci, tha se ata nuk do dorëzohen për të arritur qëllimin e tyre.

“Nuk ka kthim pas, nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar për nxjerrjen e trupit. Për të qenë e qartë: Zonja Konstandopulu nuk e ka nxitur kurrë Panajotin të hyjë në grevë urie, siç është përhapur në disa media. Ishte vendim i tij personal, unë vetë nuk e dija që do shkonte në Athinë për të protestuar në këtë formë. 

Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për lejen e nxjerrjes së trupit. Nuk kemi kërkuar asnjë shtyrje të procesit, siç pretendohet. Kërkesa jonë ka qenë e qartë që nga fillimi: Të mësojmë shkakun e vërtetë të vdekjes së fëmijës tonë. Kjo do të thotë toksikologji, biokimi dhe ADN. Burri im nuk do të tërhiqet nëse nuk kryhen analizat toksikologjike”, tha ajo. 

Ndërkohë, avokatja e familjes, Zoi Konstandopulu, theksoi se Pano Ruci po monitorohet nga ekip mjekësh dhe ndihmës vullnetarë si mjekja Olga Kosmopulu, si dhe nga mjekë të Spitalit Shtetëror të Nikesë. Gjithashtu Konstandopulu akuzoi Unionin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve se “mbulojnë” funksionarë të drejtësisë që refuzojnë të urdhërojnë ekzaminimin toksikologjik, i cili sipas saj është standard në çdo rast aksidenti, zjarri apo vdekje të dyshimtë.

“Pse mbrojnë ata që shkatërruan mostrat biologjike? Dhe si ka mundësi që urdhërohet nxjerrja nga varri, një akt i tillë dramatik, pa u bërë toksikologjia?”, deklaroi Konstandopulu me tone të ashpra.

Më pas, Konstantopoulou u drejtuar ndaj Unionit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke nënvizuar: "Le të përgjigjet Unioni i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sepse mbulon gjyqtarët dhe prokurorët që refuzojnë të bëjnë detyrën e tyre dhe urdhërojnë ekzaminimin e detyrueshëm toksikologjik, i cili bëhet në çdo aksident, në çdo zjarr, çdo mjek ligjor e di se duhet të marrë një mostër dhe ta bëjë atë. Pse po i mbulojnë ata që shkatërruan mostrat dhe ata që tani po urdhërojnë zhvarrosjen, një akt kaq dramatik, pa kryer as një ekzaminim toksikologjik.

Qëndroj pranë familjes me dhimbje. Greva e urisë është një e drejtë e shenjtë, të cilën asnjë qenie njerëzore nuk mund ta ndikojë, sepse është një vendim shumë i brendshëm i personit ta marrë atë, dhe shënjestrimi i grevistit të urisë dhe kujtdo që e ndihmon atë është një operacion mbulimi, fshehjeje dhe shpifjeje, i llojit që qeveria, për fat të keq, ka nisur gjatë gjithë kësaj kohe kundër të vërtetës për krimin e Tempit"./Dosja.al

pano ruci

Sondazh

Poll