I përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike/ Sekuestrohet “Ferrari”, me vlerë 600 mijë euro, në hetim drejtuesi i automjetit
Shoferi 30-vjeçar Eri Vraja ka qenë i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas policisë, Vraja e kishte regjistruar mjetin në pronësi të një 36-vjeçari, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri për llogari të tij. Gjithashtu në hetim janë vënë edhe dy persona të implikuarit në këtë rast.
24 Shtator 2025, 16:43Nga E. D
TIRANË- Një automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 000 euro, i cili dyshohet se është përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike është sekuestruar. Blutë bëjnë gjithashtu me dije se është vënë në hetim edhe drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale, në Turqi.
Shoferi 30-vjeçar Eri Vraja ka qenë i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas policisë, Vraja e kishte regjistruar mjetin në pronësi të një 36-vjeçari, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri për llogari të tij. Gjithashtu në hetim janë vënë edhe dy persona të implikuarit në këtë rast. Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Red”. Sekuestrohet 1 automjet tip “Ferrari”, me vlerë rreth 600 000 euro, i dyshuar i përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike. Në hetim drejtuesi i automjetit, autor i kësaj veprimtarie kriminale, në Turqi. Ky shtetas e kishte regjistruar në pronësi të një 36-vjeçari, këtë automjet, të cilin e kishte sjellë në Shqipëri, për llogari të tij, një 30-vjeçar.
Vihen në hetim dhe të dy të implikuarit në këtë rast. Në vijim të hetimeve, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Red”.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në rrugën “Abdyl Frashëri”, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin E. V., 30 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 30-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 30-vjeçarit, konkretisht A. L., 30 vjeç.
Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 3 këta shtetas. Gjithashtu, vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit E. V. ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.