Bota

Thriller në Greqi/ 62-vjeçarja fsheh vdekjen e nënës dhe e varros atë ne banesë, shkak për ti marrë pensionin

Sipas 62-vjeçares ajo këtë e bëri në mënyrë që të vazhdonte ti merrte pensionin, pasi po përballej me probleme ekonomike. 

22 Shtator 2025, 11:09 Nga E.d
Thriller në Greqi/ 62-vjeçarja fsheh vdekjen e nënës dhe e
Foto ilustruse

GREQI- Një grua 62-vjeçare është arrestuar nga policia greke pasi fshehu vdekjen e nënës së saj për dy vite me rradhë dhe e varrosi pranë banesës së saj, me ndihmën e një shqiptari. Sipas 62-vjeçares ajo këtë e bëri në mënyrë që të vazhdonte ti merrte pensionin, pasi po përballej me probleme ekonomike. 

Njoftimi i Policisë greke:

Ajo u arrestua në shtëpi, mbrëmjen e djeshme (20-09-2025) në një zonë të Viotia-s, në kuadër të një Urdhri të Prokurorit për të hetuar zhdukjen e nënës së saj të vetme me të cilën bashkëjetonte dhe një hetimi të plotë policor pasues, sepse, siç rezultoi, ajo fshehu vdekjen e nënës së saj nga Autoritetet, për të vazhduar të merrte pagesën dhe pensionin e saj të paaftësisë.

Personi i arrestuar u tregoi oficerëve të policisë të Departamentit të Policisë së Tanagrës dhe Departamentit të Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Tebës, vendin e varrimit të nënës së saj të ndjerë, pranë shtëpisë së saj, ku, në prani të një oficeri gjyqësor, u krye një zhvarrim, gjatë të cilit u gjet një skelet njerëzor (me çarçafë), i cili u mblodh dhe do t'u dërgohet autoriteteve përkatëse për ekzaminim.

Një padi u ngrit kundër saj për mosraportim të zbulimit të një trupi të pajetë, dëshmi të rreme, vrasje nga pakujdesia dhe mashtrim. Hetimi paraprak u krye nga Departamenti i Policisë së Tanagrës, ndërsa personi i arrestuar u dërgua në Prokurorinë kompetente.

Protothema raporton se ajo i tha policisë se e kishte fshehur vdekjen e nënës së saj dhe e kishte varrosur atë që në verën e vitit 2023 me ndihmën e një shqiptari. Ajo tha se burri ishte punëtor në fshat, por deri më tani policia nuk e ka identifikuar atë. Hetuesit e konsiderojnë thelbësore gjetjen e tij pasi, sipas të akuzuarës, ai ishte personi që e ndihmoi të transportonte dhe varroste nënën e saj.

”Nëna ime vdiq nga shkaqe patologjike. Kur kjo ndodhi, vendosa ta varrosja me ndihmën e Janisit, shqiptarit, sepse po përballesha me probleme financiare. Nuk kisha para dhe kisha nevojë për to" tha 62-vjeçarja.

Viktima ndërroj jetë në moshën 91-vjeçare si pasojë e problemeve shëndetesore. Policia tha se trupi i pajetë ishte varrosur pranë banesës në një gropë të vogël, jo shumë të thellë. Gjithçka u zbulua kur fqinjët raportuan pranë policisë humbjen e viktimës. Mbi 62-vjeçaren rëndojnë akuzat penale "Mosnjoftimin e zbulimit të një personi të vdekur", "Dëshmi e rreme", "Vrasje nga pakujdesia" dhe "Mashtrimin”.

greqi varrosi nënën fshehu vdekjen

Sondazh

Poll