Aktualitet

"Shoferi i prokurorit të SPAK kërcënoi oficerin"/ Policia për incidentin në Elbasan: Gardisti në brez mbante një armë zjarri

Policia sqaron se teksa Likaj po qarkullonte me makinën e punës ka marrë sinjalizim nga Mateo Ademi për të ndaluar.

19 Shtator 2025, 08:55 Nga I.A
"Shoferi i prokurorit të SPAK kërcënoi oficerin"/
Policia

ELBASAN- Incidenti mes drejtuesit të rrugores në Elbasan Besmir Likaj dhe gardistit Mateo Ademi, i cili është dhe shofer i një prokurori të SPAK, ka ndodhur për motive të dobta. Policia sqaron se teksa Likaj po qarkullonte me makinën e punës ka marrë sinjalizim nga Mateo Ademi për të ndaluar.

Në këtë moment Ademi ka kërcënuar efektivin e policisë, ndërkohë që në brez mbante dhe një armë zjarri tip pistoletë. Ndërkohë që Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim. 

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje paradite , ku është përfshirë  Besmir Likaj, Shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan dhe shtetasi Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i një prokurori të SPAK, sqarojmë si më poshtë:

Punonjësi i policisë rrugore Besmir Likaj ka qenë duke ushtruar patrullim në vijim të detyrës së tij, përgjatë segmentit rrugor nga rrethi i 1 Majit deri te rrethi i Postës, në Tiranë. Në momentin që ai ndodhej pranë rrethit të Postës, është sinjalizuar nga shtetasi Mateo Ademi të ndalonte mjetin.

Oficeri Likaj ka ndaluar mjetin dhe, menjëherë pas kësaj është përballur me një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit, i cili dyshohet të ketë përdorur fjalor kanosës.

Sipas deklarimeve dhe pamjeve filmike të qarkulluara në rrjetet sociale, Mateo Ademi ishte i veshur me të zeza dhe mbante në brez, në krahun e djathtë, një armë zjarri (pistoletë), e cila ishte e dukshme dhe e pambuluar gjë që ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës.

Nga materiali filmik i publikuar në rrjete sociale dallohet qartë se oficeri Besmir Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës së tij.

Ngjarja është në ndjekje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në administrim të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe deklaratat e palëve dhe materialin video. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për transparencë të plotë dhe zbatim të ligjit për çdo person, pavarësisht funksionit apo pozicionit të tij.

besmir likaj mateo ademi

Sondazh

Poll