Bota

Presidenti i SHBA-ve u përplas me gazetarin australian lidhur me pyetjen për biznesin/ ABC përjashtohet nga konferenca e Trump në MB

Trump u pyet nga John Lyons nga Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC), se sa i pasur është bërë që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. 

18 Shtator 2025, 17:45 Nga E.d
Presidenti i SHBA-ve u përplas me gazetarin australian lidhur me pyetjen
Donald Trump

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar një gazetar australian se "po dëmton Australinë", pasi udhëheqësi i SHBA-ve u pyet për marrëveshjet e tij të biznesit gjatë kohës sa është në detyrë. Trump u pyet nga John Lyons nga Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC), se sa i pasur është bërë që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar. 

"Nuk e di. Sipas mendimit tim, po e dëmton shumë Australinë tani dhe ata duan të shkojnë mirë me mua", u përgjigj Trump, duke thënë se fëmijët e tij drejtojnë bizneset familjare.

Trump tha se do të takohet me kryeministrin australian Anthony Albanese "shumë shpejt", duke shtuar: "Do t'i tregoj për ty. Ke vendosur një ton shumë të keq".

Kur Lyons u përpoq të bënte një pyetje tjetër, Trump mbajti gishtin tregues në buzë para se të thoshte "qetësi" dhe u largua për të folur me një gazetar tjetër. 

Ndërkohë ditën e sotme (18 shtator) ABC tha se ishte informuar nga zyra e shtypit e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar se nuk kishte më hapësirë ​​që të merrte pjesë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Trump dhe Sir Keir Starmer.

Në një deklaratë, ABC tha se ishte ende i akredituar për të marrë pjesë në rezidencën rurale të kryeministrit, Chequers, ku Trump do të takohet me Sir Keir për bisedime. ABC theksoi në deklaratë se nuk kishte asnjë argument tjetër për mospjesëmarrjen, por kjo lidhej me pyetjet e gazetarit Lyons.

Për muaj të tërë, Albanese ka kërkuar një takim me presidentin amerikan, pasi bisedimet midis tyre u anuluan në minutën e fundit, kur Trump u largua nga samiti i G20 në qershor më herët se sa pritej, për t'u marrë me luftën në Lindjen e Mesme. Albanese - i cili do të jetë në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme  i kishte thënë më parë radios ABC se ai dhe Trump do të takoheshin me njëri-tjetrin në Nju Jork.

"Ai do të organizojë një pritje të martën në mbrëmje të javës tjetër. Gjithashtu, do të shihemi në forume të ndryshme që do të zhvillohen nga tani deri në fund të vitit," tha ai. 

donald trump

Sondazh

Poll