Bota

Trump ultimatum për NATO-n: Sanksione ndaj Rusisë vetëm nëse ndaloni së bleri naftë

Në një letër të publikuar të shtunën, Trump e bëri të qartë se Uashingtoni do të vendosë sanksione të rëndësishme ndaj Moskës vetëm nëse të gjitha vendet anëtare të NATO-s bëjnë të njëjtën gjë dhe ndalojnë importimin e naftës ruse.

13 Shtator 2025, 22:16 Nga E. D
Trump ultimatum  për NATO-n: Sanksione ndaj Rusisë vetëm
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u dha ultimatum udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s, duke u bërë thirrje atyre që të miratojnë kolektivisht një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë. Në një letër të publikuar të shtunën, Trump e bëri të qartë se Uashingtoni do të vendosë sanksione të rëndësishme ndaj Moskës vetëm nëse të gjitha vendet anëtare të NATO-s bëjnë të njëjtën gjë dhe ndalojnë importimin e naftës ruse.

“Angazhimi i NATO-s për fitore është shumë më pak se 100% dhe blerja e naftës ruse nga disa është tronditëse”, shkroi ai.

Në të njëjtën kohë, Trump i bëri thirrje NATO-s të vendosë tarifa prej 50% deri në 100% ndaj Kinës - një masë që, tha ai, mund të veprojë si katalizator për përfundimin e luftës në Ukrainë.

"Nëse këto gjëra ndodhin, lufta do të përfundojë shpejt", theksoi ai.

Reagimet dhe pengesat

Bashkimi Evropian ka ndaluar tashmë importet detare të naftës bruto dhe produkteve të naftës ruse, por disa vende vazhdojnë të blejnë karburant dhe gaz natyror të lëngshëm rus. Përjashtim mbeten vende të tilla si Hungaria dhe Sllovakia, ndërsa jashtë BE-së, Turqia mbetet një nga klientët më të mëdhenj të Moskës.

Megjithatë, Brukseli duket i kujdesshëm. Zyrtarët evropianë vënë në dukje se nuk kanë ndërmend të hyjnë në një luftë të re tregtare me Kinën apo Indinë, veçanërisht në një kohë kur BE-ja është në fazat e fundit të negociatave për një marrëveshje tregtare me Nju Delhin.

Tensionet me Indinë po përshkallëzohen

Tashmë, presidenti amerikan i ka rritur presionet me Indinë, duke dyfishuar tarifat në 50% për shkak të blerjeve të vazhdueshme të naftës ruse. Nju Delhi reagoi duke e përshkruar masën si "të pajustifikuar" dhe theksoi se edhe vendet e tjera mbajnë marrëdhënie tregtare me Moskën.

donald trump

Sondazh

Poll