Politike

Ndodhet në burg që prej 10 shkurtit, Erion Veliaj rekurs në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë

Veliaj ndodhet në qeli prej disa muajsh, si person nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

11 Shtator 2025, 15:41 Nga E. D
Ndodhet në burg që prej 10 shkurtit, Erion Veliaj rekurs në
Erion Veliaj

TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë masën e arrestit në burg të vendosur ndaj tij prej GJKKO dhe lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm. Rekursi është regjistruar më 10 shtator 2025, në lidhje me procedimin penal nr. 27/2024. Çështja aktualisht është në proces shqyrtimi nga Gjykata e Lartë.

Kryebashkiaku kërkon lirinë nga qelia dhe procesi ndaj tij të zhvillohet me një masë më të butë sigurie. Veliaj i ka mohuar të gjitha akuzat e SPAK, teksa Prokuroria e Posaçme, një ditë më parë mbylli dosjen ndaj tij dhe e dërgoi për gjykim, duke renditur ndaj kryebashkiakut 13 akuza, prej të cilave korrupsion në 9 raste.

SPAK ka përfuduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

ersion veliaj

Sondazh

Poll