Aktualitet

EMRAT/ Domatet shqiptare me nivele të larta pesticidesh, në pranga administratori i 'Era Fruit' dhe dy inspektorë të AKU-së

Mësohet se policia me urdhër të prokurorisë ka vënë në pranga administratorin e subjektit “Era-Fruit”, Mariglen Qorri pasi ky subjekt ka dërguar 8 ton domate me nivel të lartë të preparatit “Chlorfenapyr”

10 Shtator 2025, 09:23 Nga I.A
EMRAT/ Domatet shqiptare me nivele të larta pesticidesh, në pranga
Domatet

BERAT- Prokuroria e Beratit ka firmosur tre urdhër-arreste për shkak të importit të 8 tonëve domate me pesticide në Kroaci. Mësohet se policia me urdhër të prokurorisë ka vënë në pranga administratorin e subjektit “Era-Fruit”, Mariglen Qorri pasi ky subjekt ka dërguar 8 ton domate me nivel të lartë të preparatit “Chlorfenapyr”.

Bëhet me dije se Qorri ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe këtë faturë e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat duke u munduar të shmangë kështu përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar. Nga veprimet hetimore rezulton se kjo sasi domatesh e rrezikshme për shëndetin e njerëzve është prodhuar dhe më pas eksportuar nga vetë shtetasi Mariglen Qorri.

Gjithashtu nga veprimet hetimore rezulton se inspektoret e AKU Berat shtetasit Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani pas njoftimit nga sistemi Rasff kanë kryer inspektim me datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe gjatë këtij inspektimi nuk kanë konstatuar sasinë e domateve të gjendur në magazinën e subjektit duke plotësuar praktiken sikur në magazinë nuk kishte asnjë sasi domate.

Ata dyshohen se nuk kanë bërë bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt. Këta inspekto dyshohen se kanë marrë të mirëqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi Mariglen Qorri, të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmueshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar kështu faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.

Gjithashtu u sekuestruan dhe u morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara ne subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.

Njoftimi i policisë: 

Berat/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, operacioni "Again". Prodhoi dhe eksportoi drejt shtetit Kroat, perime me nivel të lartë preparati "Chlorfenapyr", si dhe me fatura fiktive blerjeje, vihet në pranga administratori i subjektit. Në pranga dhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.

Sekuestrohen perime të ndryshme të cilat dyshohet të jenë të kontaminuara me sasi preparati. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, pas informacioneve të marra se në një subjekt grumbulloheshin dhe eksportoheshin perime, për të cilat kishte paligjshmëri në eksportim, organizuan punën dhe finalizuan operacionin "Again".

Gjatë operacionit u vunë në pranga 3 shtetas, konkretisht:

-M. Q., 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve. Ky shtetas kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 tonë domate të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit "Chlorefenapyr", dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate. Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore ky shtetas ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë;

-R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe G. L., 25 vjeçe, banuese në Berat, të dy inspektorë të AKU Berat, pasi kanë kryer kontrolle në këtë subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga shtetasi M. Q., duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.

Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit M. Q., u sekustruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

era-fruit chlorfenapyr

Sondazh

Poll