Aktualitet

Zgjedhjet lokale në Kosovë/ KQZ: Në 17 shtator nis votimi me postë

Ky proces do të vlejë për rreth 44 mijë shtetas të Kosovës, të cilët janë bërë pjesë e procesit zgjedhor, duke u regjistruar për votim me postë në zgjedhjet e nivelit lokal.

8 Shtator 2025, 21:28 Nga I.A
Zgjedhjet lokale në Kosovë/ KQZ: Në 17 shtator nis votimi me
KQZ

KOSOVË- Procesi i votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Koosvës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës në Zgjedhjet Lokale pritet të fillojë në javën e ardhshme, më 17 shtator. Ky proces do të vlejë për rreth 44 mijë shtetas të Kosovës, të cilët janë bërë pjesë e procesit zgjedhor, duke u regjistruar për votim me postë në zgjedhjet e nivelit lokal.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar si do të zhvillohet votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës. Detajet e tjera dhe procedurat specifike, ka shtuar Elezi, do të publikohen shumë shpejt nga KQZ-ja, duke siguruar transparencë dhe qartësi për çdo votues.

“Periudha e votimit përmes postës vlen vetëm për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar për votim përmes postës në periudhën 23 korrik – 29 gusht 2025. Votimi përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor. Pra, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në Zgjedhjet Lokale nuk ka votim në përfaqësi diplomatike, por vetëm përmes postës”, tha Elezi.

Në këtë proces zgjedhor, votuesit jashtë Kosovës nuk do të shkarkojnë fletëvotimet nga uebfaqja e KQZ-së, siç kanë bërë në zgjedhjet e kaluara, por do t’i pranojnë nga KQZ-ja në adresën e tyre të cilën e kanë deklaruar gjatë regjistrimit. Në këto Zgjedhje Lokale, votuesit e regjistruar do të pranojnë nga dy fletëvotime, një për Zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një tjetër për Zgjedhjet për Kuvend Komunal.

Sipas KQZ-së, së shpjeti do të publikohen adresat e kutive postare që do të hapen në shtete të ndryshme. Po ashtu, sipas shpjegimeve nga KQZ, shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht nuk mund të votojnë në Kosovë. Ndërkaq, shtetasit që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, do ta gjejnë emrin e tyre në Listën e Votuesve brenda Kosovës. 

kqz zgjedhjet lokale ne kosove

Sondazh

Poll