Sport

Plas në Azerbajxhan, Federata i kërkon dorëheqjen Fernando Santos, ai "bërtet" se ka një kontratë!

Kombëtarja e Azerbajxhanit u mund 5-0 nga Islanda në ndeshjen e saj të parë të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Sekretari i përgjithshëm i federatës i bëri thirrje hapur që Santos të jepte dorëheqjen.

8 Shtator 2025, 00:50 Nga DOSJA
Plas në Azerbajxhan, Federata i kërkon dorëheqjen Fernando

AZERBAIXHAN - Debutimi i Azerbajxhanit në kualifikueset e Kupës së Botës 2026 rezultoi të ishte një makth, me ekipin e Fernando Santos që u bë pre e islandezëve, të cilët në finale festuan një fitore të thellë me 5-0. Humbja e rëndë u shoqërua me reagime të forta për trajnerin portugez edhe brenda Federatës, me Sekretarin e Përgjithshëm, Jahangir Farajulayev, që sulmoi publikisht ish-trajnerin e Kombëtares Greke, Kampione Europe, dhe Portugalisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

"Nuk ka asgjë për të thënë, por në të njëjtën kohë do të doja të thoja shumë. Ne e respektojmë kundërshtarin, por nëse luajmë kështu kundër këtij kundërshtari dhe qëndrojmë në mbrojtje që nga minutat e para, atëherë ky është problemi ynë."

"Sistemi ishte i gabuar. Trajneri nuk bëri përgatitjet e tij. Qëndrimi i trajnerit ndaj futbollit azerbajxhanas dhe njerëzve është i gabuar. Le të dëgjojmë çfarë ka për të thënë Santos. Pres që ky njeri të marrë përgjegjësi. Nuk kemi nevojë për një futboll kaq të frikshëm. Nëse trajneri nuk jep dorëheqjen vetë, ne do të ndërmarrim veprime.

Presim vendimin e duhur prej tij", theksoi ai në deklaratat e tij për "azerisport". Megjithatë, trajneri 70-vjeçar nuk duket i gatshëm të japë dorëheqjen, por përkundrazi ta çojë deri në fund kontratën e tij. Kujtojmë që Santos mori drejtimin e ekipit kombëtar në qershor 2024, ndërsa kontrata e tij skadon në vitin 2027. "E kam thënë tashmë, kam një kontratë dhe i respektoj kontratat e mia. Unë jap më të mirën time, jap gjithçka dhe punoj shumë për t'u përmirësuar. Kjo është ajo që do të vazhdoj të bëj, kjo është ajo që kam bërë gjatë gjithë karrierës sime", tha Fernando Santos.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll