Aktualitet

Qeveria "lëshon sërish dorën" me koncesionet; FMN: Mos hiqni kufizimet buxhetore

FMN sugjeroi se ligji i ri duhet të kategorizojë rreziqet si kontraktuale apo të nënkuptuara, jo thjesht si direkte/indirekte. Gjithashtu kërkoi eliminimin e propozimeve të pakërkuara, pasi përbëjnë 80% të PPP-ve dhe rrisin rrezikun për vendimmarrje jo transparente.

29 Gusht 2025, 07:07 Nga r.ll
Qeveria "lëshon sërish dorën" me koncesionet; FMN: Mos
foto ilustruese

TIRANË- Projektligji i ri për PPP-të dhe koncesionet është paraqitur për miratim në parlament, por ndërkohë grupet e interesit dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë një sërë vërejtjesh për paketën ligjore, e cila në vend që të përmirësojë kontratat problematike të PPP-ve, e përkeqëson situatën në disa raste.

Departamenti i Çështjeve Fiskale në FMN ka bërë një analizë të ndryshimeve në projektligj me rreth 22 vërejtje, nga të cilat shihet se në projektligjin e ri “mungon përmendja e tavanit vjetor për pagesat buxhetore për PPP-të (aktualisht 5% të të ardhurave)”. Në ligjin aktual, financimi vjetor i kontratave PPP nga buxheti nuk duhet më shumë se 5% e të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Në ndryshimet e reja ligjore, ky kufizim është i vlefshëm kryesisht për pushtetin vendor. Pavarësisht se deri më tani financimi i PPP-ve me fonde publike nuk e ka kaluar këtë prag, prania e tij në ligj ishte një garanci për të frenuar qeverinë dhe entet të rrisnin financimin nga taksat për kontratat koncesionare PPP.

FMN sugjeroi se ligji i ri duhet të kategorizojë rreziqet si kontraktuale apo të nënkuptuara, jo thjesht si direkte/indirekte. Gjithashtu kërkoi eliminimin e propozimeve të pakërkuara, pasi përbëjnë 80% të PPP-ve dhe rrisin rrezikun për vendimmarrje jo transparente. Fondi kërkoi të hiqet rimbursimi i studimeve të fizibilitetit për projektet e refuzuara, sepse krijon nxitje për shumë propozime pa cilësi.

Në kuadër të diskutimeve, FMN i ka rekomanduar qeverisë shqiptare një sërë masash të rrepta për reformimin e kuadrit ligjor dhe institucional të koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat (PPP). Një nga rekomandimet kryesore është përfshirja e hershme dhe aktive e Ministrisë së Financave në të gjitha fazat e ciklit të projekteve PPP, që nga identifikimi dhe planifikimi, deri te vlerësimi i rrezikut dhe miratimi i kontratave. Kjo pritet të garantojë që projektet të jenë të përputhshme me strategjinë buxhetore dhe të minimizojnë ekspozimin fiskal të qeverisë.

Po ashtu, FMN i kërkon qeverisë të kategorizojë qartë rreziqet fiskale dhe të krijojë mekanizma më të fortë monitorimi për detyrimet afatgjata që rrjedhin nga kontratat koncesionare. Raportimi i detajuar dhe periodik mbi këto rreziqe konsiderohet i domosdoshëm për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm të financave publike.

Një tjetër pikë e rëndësishme e rekomandimeve është shmangia e konflikteve të interesit nga autoritetet kontraktuese dhe kufizimi i ndryshimeve në kontrata pas nënshkrimit. FMN argumenton se ndryshimet e shpeshta në kontrata krijojnë pasiguri dhe cenojnë besimin te proceset publike të prokurimit.

Në linjë me këto rekomandime, FMN kërkon gjithashtu që kuadri i ri ligjor të jetë i harmonizuar plotësisht me ligjin për Menaxhimin e Investimeve Publike dhe rregulloret buxhetore ekzistuese, duke vendosur kritere të qarta për përzgjedhjen e projekteve me rëndësi kombëtare.

Qeveria shqiptare ka shpallur tashmë nismën për hartimin e një projektligji të ri për PPP-të dhe koncesionet, që synon të eliminojë propozimet e pakërkuara, të forcojë analizën e kostove dhe përfitimeve dhe të rrisë transparencën në menaxhimin e fondeve publike. Por zbatimi i rekomandimeve të FMN-së do të jetë vendimtar për të shmangur skenarë ku PPP-të mund të kthehen në barrë për financat publike dhe për të siguruar një klimë më të favorshme për investime private siç ka ndodhur deri me tani.

Gjithashtu, FMN i dha “leksione gjuhe” qeverisë shqiptare, duke i kërkuar të mos përdorë në ligj termat “explicit” dhe “implicit”, të cilat nuk gjenden në terminologjinë e legjislacionit shqiptar, dhe në vend të tyre të përdorë “direkte” dhe “indirekte”./MONITOR

fmn koncesione

Sondazh

Poll