Bota

Aksidenti hekurudhor me 57 viktima në Tempi/ Raporti zbulon se vagoni i dytë i trenit nuk ka shenja djegieje, bien poshtë pretendimet se ishte e ngarkuar me lëndë të djegshme

Në mars, një ekip nga Shërbimi Hetimor Hekurudhor Helenik (DIE) vizitoi zonën ku ruhen mbetjet e trenave me qëllim që të hetonte pretendimet se treni kishte lëndë ndezëse dhe për shkak të kësaj aksidenti rezultoi akoma edhe më fatal.

28 Gusht 2025, 18:14 Nga N.F
Aksidenti hekurudhor me 57 viktima në Tempi/ Raporti zbulon se vagoni i
Foto

GREQI- Hetuesve të apelit u është dorëzuar raporti i departamentit të Krimeve të Zjarrvënies në lidhje me zjarrin që pasoi përplasjen e dy trenave në Tempi në shkurt të 2023. Në raport theksohet se vagoni i dytë i trenit tregtar është i shtrembëruar si pasojë e përplasjes, por nuk tregon shenja djegieje ose dëmtimesh të tjera nga ekspozimi ndaj zjarrit. Gjithashut theksohet se në vagon nuk ka shenja djegieje brenda kabinës.

Këto detaje të raportit hedhin poshtë pretendimet se treni ishte i ngarkuar me lëndë të ndezshme në kabinën e dytë. Ky raport është formuluar pas publikimit të gjetjeve të Organizatës Kombëtare për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore dhe Sigurinë e Transportit (EODASAAM).

Në mars, një ekip nga Shërbimi Hetimor Hekurudhor Helenik (DIE) vizitoi zonën ku ruhen mbetjet e trenave me qëllim që të hetonte pretendimet se treni kishte lëndë ndezëse dhe për shkak të kësaj aksidenti rezultoi akoma edhe më fatal.

Pas dorëzimit të gjetjeve dhe me të dhënat e deritanishme, ajo që mbetet është dorëzimi i analizave përfundimtare nga Laboratori i Përgjithshëm Shtetëror i Kimisë për të përfunduar hetimin. Çështja në shqyrtim që përfshin ish-Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës do të vendoset së bashku me vendimin e Këshillit Gjyqësor, i cili do të formohet në ditët në vijim për të shqyrtuar pjesën e ndjekjes penale që ka të bëjë me ish-Ministrin e Transportit, Costas Karamanlis.

Aksidenti në Tempti

Aksidenti i rëndë hekurudhor u regjistrua më 28 shkurt të vitit 2023. Ky aksidend është cilësuar si aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e vendit. Ngjarja ndodhi kur një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në afërsi të qytetit Tempi. Aksidenti shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Shumë nga viktimat ishin të rinj, përfshirë studentë që ktheheshin në universitet pas një pushimi festiv. Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave.

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh në Greqi, me protesta të shumta kundër neglizhencës shtetërore për sigurinë hekurudhore. Ministri i Transportit dha dorëheqjen, dhe qeveria u zotua të përmirësojë sistemin e transportit hekurudhor. Ky aksident sipas raportimeve të mediave greke nxori në pah mungesën e sistemit automatik të sinjalizimit dhe menaxhimit të trafikut në hekurudhat greke, duke çuar në një debat të gjerë mbi nevojën për modernizimin e infrastrukturës.

aksidenti ne tempi

Sondazh

Poll