Aktualitet

Vëllazëri veterinare: Kroacia dhuron ndihma për Shqipërinë në luftën kundër PPR

Sëmundja PPR prek delet dhe dhitë, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për sektorin blegtoral dhe ekonominë rurale.

27 Gusht 2025, 09:22 Nga r.ll
Vëllazëri veterinare: Kroacia dhuron ndihma për
ivan zemljak dhe ervin resuli

TIRANË- Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH) dorëzoi ditën e sotme pranë Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ndihmat veterinare të dhuruara nga Dhoma Kroate e Veterinerëve (HVK).

Këto materiale, të cilat synojnë të mbështesin veterinerët shqiptarë në menaxhimin e sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants), u dorëzuan zyrtarisht Drejtorit të AKVMB-së, Sulejman Kullolli. Sëmundja PPR prek delet dhe dhitë, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për sektorin blegtoral dhe ekonominë rurale.

Presidenti i Dhomës Kroate të Veterinerëve, Dr. Ivan Zemljak, dhe të gjithë anëtarët e HVK-së u vlerësuan për këtë gjest vëllazëror, që forcon lidhjet profesionale dhe miqësore mes dy vendeve.

UPMVSH shprehu gjithashtu mirënjohje për Dr. Matilda Arjan Xhepa, CVO e Shqipërisë, për përkushtimin e saj të pandërprerë në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e standardeve veterinare në vend.

“Veterinerët nuk njohin kufij, por janë gjithmonë një vëllazëri profesionale e bashkuar në mbrojtje të shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore. Ky është një shembull i fortë se si bashkëpunimi ndërkombëtar dhe europian e bën më të fortë shërbimin veterinar në Shqipëri,” – u theksua në njoftimin e UPMVSH.

Ky akt tregon se vëllazëria mes veterinerëve është ura më e sigurt drejt një të ardhmeje me standarde më të larta në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore.

ervin resuli urdhri veterinar ivan zemljak

Sondazh

Poll