Aktualitet

"Mbyllja e TikTok ishte vetëm një pretekst politik", familja e Martin Canit për vrasjen e Erald Xhejos: U vranë nga mungesa e sigurisë dhe nga papërgjegjësia institucionale!

Ata kanë ngritur pyetjen se tashmë kujt do ti hidhet faji, Instagramit apo Snapchat-it.

17 Gusht 2025, 12:23 Nga N.F
"Mbyllja e TikTok ishte vetëm një pretekst politik", familja
Prinderit e Martin Canit

TIRANË- Familja e 14-vjeçarit, Martin Cani që humbi jetën tragjikisht pak muaj më parë ka reaguar në lidhje me vrasjen e të riut, Erald Xhejo në Maliq. Dy 14-vjeçarët u vranë nga bashkëmoshatarët e tyre pas një konflikti i cili agravoi në përdorimin e thikës. Familja Cani shprehen se vendimi për mbylljen e TikTok që erdhi pas vrasjes së djalit të tyre nuk ishte zgjidhje.

Sipas tyre ky ishte një preteks politik pasi një tjetër rast tragjik i mori jetën të riut në Maliq. Ata kanë ngritur pyetjen se tashmë kujt do ti hidhet faji, Instagramit apo Snapchat-it. Familja Cani shton se dy të miturit u vranë nga mungesa e sigurisë dhe nga papërgjegjësia institucionale dhe jo nga rrjetet sociale.

Ata kanë shprehur ngushëllimet për nënën dhe familjen e të miturit teksa theksuan se ndajnë me ta dhimbjen e pamasë. Gjithashtu ata shtuan se bashkohen në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta.

"Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka rradhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?

Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.

Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet. Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq.

E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj. Familja Cani" shkruhet në reagim.

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare 'Fan Noli'. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.

Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

vrasja e martin canit vrasja e erald xhejos

Sondazh

Poll