Bota

Analiza: A janë ndryshe themeluesit e startup-eve?

Al Khafaji kishte themeluar më parë një startup për shikueshmërinë e të dhënave dhe kishte punuar në Palantir, pas blerjes së këtij startup-i nga kompania teknologjike e Silicon Valley.

16 Gusht 2025, 08:16 Nga DOSJA
Analiza: A janë ndryshe themeluesit e startup-eve?
foto ilustruese

HOLANDË- Kur mendoni për hapin e radhës në karrierë, me shumë gjasa keni në mendje një rritje page, një aftësi të re apo thjesht një rrugë më të shkurtër për në punë. Kur sipërmarrësi holandez Salar al Khafaji po mendonte për hapin e radhës, ai kishte kritere disi të ndryshme, shkruan The Economist.

Al Khafaji kishte themeluar më parë një startup për shikueshmërinë e të dhënave dhe kishte punuar në Palantir, pas blerjes së këtij startup-i nga kompania teknologjike e Silicon Valley.

Për hapin e radhës, ai do të përballej me një sfidë më të madhe, diçka aq e rëndësishme sa të reflektohej edhe në PBB-në e vendit. Zgjedhja e tij ishte ndërtimi, një industri gjigante që është përballur prej kohësh me probleme produktiviteti.

Rezultati ishte Monumental, një firmë për robotikën në fushën e muratorisë, bashkëthemeluar nga Al Khafaji.

Pretendimi se themeluesit e kompanive (të paktën ata të suksesshmit) janë ndryshe nga të tjerët, bazohet pjesërisht në histori si kjo. Njerëzit e zakonshëm duan të paguajnë kredinë e shtëpisë; themeluesit dhe sipërmarrësit duan të ndryshojnë botën.

Para se të fillonte të sillte në jetë revolucionin e Inteligjencës Artificiale si drejtues i OpenAI, Sam Altman ishte një prej drejtuesve të Y Combinator, një inkubator për startup-e.

Në një postim në vitin 2020, duke reflektuar mbi cilësitë që bashkojnë sipërmarrësit dhe studiuesit më të mirë, Altman shkruante se ata “kalojnë shumë kohë duke reflektuar mbi një version të pyetjes së Hamming”.

Nëse mendoni se kjo ka të bëjë me sanduiçët, atëherë ndoshta nuk ka shumë shpresë për ju.

Pyetja është emërtuar sipas Richard Hamming, një matematikan që i pyeti kolegët e tij kimistë në laboratorët Bell se cilat ishin problemet më të rëndësishme në fushën e tyre, më pas çfarë po punonin në atë moment, dhe së fundi pse po punonin për gjëra të parëndësishme.

Kjo ndoshta nuk ishte mënyra më e mirë për të bërë miq, por pyetja se cili është problemi më i rëndësishëm për të cilin mund të punosh, është pikërisht ajo që bëri Al Khafaji përpara se të themelonte Monumental.

Ka pasur edhe përpjekje më sistematike për të kuptuar në ç’mënyra janë të ndryshëm themeluesit.

Në një studim të fundit, Paul McCarthy nga Universiteti i New South Wales në Australi dhe bashkautorët e tij, nxorën në pah disa tipare të përbashkëta të personalitetit duke analizuar postimet në Twitter të një grupi të madh sipërmarrësish.

Ata zbuluan se këto karakteristika janë tregues të mirë për të parashikuar nëse dikush është punonjës apo sipërmarrës. Siç mund të pritet, sipërmarrësit priren të jenë më aventurierë dhe më të hapur ndaj risive sesa popullata në përgjithësi, dhe më pak të përulur.

Në një përmbledhje të literaturës mbi tiparet e sipërmarrësve, publikuar në vitin 2017, Sari Pekkala Kerr nga Kolegji Wellesley dhe bashkautorët e saj përmendin kërkime, që sugjerojnë se themeluesit e bizneseve priren të kenë një “qendër kontrolli të brendshme”.

Psikologët përdorin këtë ide për të bërë dallimin mes njerëzve, që besojnë se janë vetë autorë të fatit të tyre dhe atyre që mendojnë se forcat e jashtme, si fati apo njerëzit e tjerë, janë më përgjegjëse për atë që ndodh në jetën e tyre.

Gjithashtu, dëshira apo synimi për të ndërmarrë rreziqe priret të jetë më i lartë te themeluesit, të paktën tek ata që zgjedhin të nisin një biznes dhe jo tek ata që e bëjnë këtë nga mungesa e alternativave.

Por personaliteti nuk është fat. Suksesi i startup-eve varet nga shumë faktorë. Studiuesit e sipërmarrjes flasin për “norma” përveç “tipareve”; ndryshimet në normat e krijimit të bizneseve të reja, dhe dallimet mes kompanive të themeluara nga burra dhe ato nga gra, mund të shpjegohen me aksesin në kapital, për shembull.

Dhe, edhe nëse shumë themelues ndajnë tipare të përbashkëta, ata gjithsesi janë të ndryshëm në formë dhe përmasa.

Pavarësisht mitit të të qenët “një gjeni themelues”, McCarthy dhe bashkautorët e tij zbulojnë se mundësia për suksesin e një ndërmarrjeje dyfishohet, nëse ka tre ose më shumë themelues, në krahasim me një të vetëm, dhe një nga arsyet është larmishmëria më e madhe në llojet e personalitetit.

Një tjetër punim, nga Brandon Freiberg dhe Sandra Matz të Columbia Business School, tregon se disa tipare, si të qenët i ndërgjegjshëm, kanë më shumë rëndësi në faza të ndryshme të jetës së një startup-i teknologjik.

Themeluesit nuk duhet të kthehen në objekt kulti: njerëzit gjejnë kuptim dhe krijojnë vlerë në forma të ndryshme pune. Por disa sjellje sipërmarrëse ia vlen të kopjohen.

Nuk ke pse të kesh një lloj të caktuar personaliteti për t’i bërë vetes pyetjen e Hamming. Themeluesit mund të jenë ndryshe, por nuk janë një specie tjetër./MONITOR

themeluesit e startup-eve

Sondazh

Poll