Aktualitet

Prej 4 ditësh godina e rrethuar me polici dhe sinjali i ndërprerë/ News24 nis trasmetimin në ambient të jashtëm, intervista në hyrjen e televizionit

Gazetari Osman Stafa ka zhvilluar deri tani intervistë me deputetin e zgjedhur demokrat, Klevis Balliu dhe pedagogun Ervin Goci. 

12 Gusht 2025, 12:21 Nga r.ll
Prej 4 ditësh godina e rrethuar me polici dhe sinjali i
osman stafa

TIRANË- Godina e News24 vijon të jetë e rrethuar me forca policie dhe transmetimi mediatik vijon të jetë i shkëputur për të katërtën ditë radhazi. 

Ndërkohë ditën e sotme, News24 ka nisur transmetimin live para godinës së zaptuar nga policia ushtarake. Pjesë e panelit të studios së improvizuar do të jenë figura të njohura politike të cilat prej ditësh kanë shprehur solidaritetin e tyre në mbështetje të punonjësve të Focus Media News. Gazetari Osman Stafa ka zhvilluar deri tani intervistë me deputetin e zgjedhur demokrat, Klevis Balliu dhe pedagogun Ervin Goci. 

Në një deklaratë për shtyp, pak më herët, botuesi i "Focus Group", Irfan Hysenbelliu është shprehur se News24 nuk do të mbyllet. Hysenbelliu tha se dënon me forcë këto veprime, të cilat ai i cilëson si "të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme". Gjithashtu ka denoncuar futjen e disa civilëve me automjete të paidentifikuara  në ambientet e News24 dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. 

Hysenbelliu i bëri thirrje institucioneve të shtetit që "të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës."

Transmetimi i kanalit informativ News 24 është ndërprerë që nga ora 07:36 më 9 gusht, duke shfaqur vetëm shiritat vertikalë me ngjyra që tregojnë mungesën e sinjalit. Grupi mediatik me rreth 250 punonjës, ku përfshihen redaksitë e News 24, Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, e cilësoi veprimin si një goditje ndaj lirisë së shprehjes. Sipas drejtuesve, autoritetet kanë kërkuar që godina t'i kalojë kompanisë shtetërore "KAYO”, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve.

rrethimi i news24 nga policia

Sondazh

Poll