Aktualitet

Rrethimi i godinës dhe ndërprerja e transmetimit/ Irfan Hysenbelliu: News24 nuk mbyllet, institucionet e shtetit të ndalojnë çdo veprim represiv

Hysenbelliu shprehet se dënon me forcë këto veprime, të cilat ai i cilëson si "të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme".

12 Gusht 2025, 11:08 Nga r.ll
Rrethimi i godinës dhe ndërprerja e transmetimit/ Irfan Hysenbelliu:
irfan hysenbelliu

TIRANË- Botuesi i "Focus Group", Irfan Hysenbelliu ka dalë me një deklaratë për shtyp lidhur me rrethimin e News24 nga policia dhe ndërprerjen e transmetimit të medias, ku është shprehur se News24 nuk do të mbyllet.

Hysenbelliu shprehet se dënon me forcë këto veprime, të cilat ai i cilëson si "të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme". Gjithashtu ka denoncuar se disa civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet e News24 dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. 

Hysenbelliu i bën thirrje institucioneve të shtetit që "të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës."

DEKLARATË PËR SHTYP E BOTUESIT TE “FOCUS GROUP”, IRFAN HYSENBELLIU

Tiranë, 12 Gusht 2025

Si botues i “Focus Group”, i News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare Online dënoj me forcë të gjitha veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj Grupit tonë mediatik.

Sot, pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik.

Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar. Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet tona dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.

Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre.

Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë dhe të publikojë të vërtetën.

Ju drejtohem të gjithë punonjësve të Neës24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.

News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.

Ju bëj thirrje institucioneve të shtetit: Të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës.

I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik.

News24 do vazhdoje te jete dritarja e së vërtetës, misioni ynë do vazhdojë!

Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.

Transmetimi i kanalit informativ News 24 është ndërprerë që nga ora 07:36 më 9 gusht, duke shfaqur vetëm shiritat vertikalë me ngjyra që tregojnë mungesën e sinjalit. Grupi mediatik me rreth 250 punonjës, ku përfshihen redaksitë e News 24, Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, e cilësoi veprimin si një goditje ndaj lirisë së shprehjes. Sipas drejtuesve, autoritetet kanë kërkuar që godina t'i kalojë kompanisë shtetërore "KAYO”, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve.

irfan hysenbelliu rrethimi i news24 nga policia

Sondazh

Poll