Sport

Sauditët “shënjestrojnë” Lewandowskin… paratë nuk mungojnë për sulmuesin polak!

Sulmuesi polaku është në vitin e fundit të kontratës me Barcelonën

30 Korrik 2025, 18:00 Nga DOSJA
Sauditët “shënjestrojnë” Lewandowskin…

SPANJE - Pavarësisht moshës 36-vjeçare, Robert Lewandowski vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar në merkato e kësaj vere.

Sipas asaj që raportohet nga mediat spanjole, disa klube arabe kanë shfaqur interes konkret për sulmuesin polak dhe kanë kontaktuar personat afër lojtarit, nëse ai është i hapur për një transferim të mundshëm.

Lewandowski, i cili ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Barcelonën, nuk ka shfaqur ndonjë dëshirë për largim.

Burime të afërta me lojtarin thonë se ai ndihet shumë i lumtur në klub, ndërsa familja e tij është e vendosur të jetojë në Barcelonë. Sezoni i fundit ai shënoi plot 42 gola, pavarësisht një dëmtimi në fazën përfundimtare të kampionatit.

Klubet saudite ofrojnë paga stratosferike dhe kontrata afatgjata, një joshje që nuk mund të injorohet, veçanërisht për lojtarë në fazën e fundit të karrierës.

Një shembull është Cristiano Ronaldo, i cili në moshën 40-vjeçare rinovoi kontratën me Al Nassr deri në 2027 për një pagë marramendëse prej 208 milionë euro në vit.

Arabia Saudite po tërheq gjithnjë e më shumë yje të njohur të futbollit, si Joao Félix, Benzema, Mané, Mahrez, dhe shumë të tjerë, duke ngritur nivelin e ligës dhe duke e kthyer atë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për futbollistët elitarë.

Një tjetër problem për Barcelonën është se afati kalimtar në Arabinë Saudite qëndron i hapur deri më 23 shtator, tre javë më shumë se në La Liga, çka e vë klubin katalanas në një pozitë të pafavorshme në rast se ndonjë ofertë vjen pas 1 shtatorit.

Pavarësisht interesit, trajneri Hansi Flick ka në plan ta integrojë Lewandowskin si pjesë të rëndësishme të skuadrës, por duke e menaxhuar ngarkesën dhe duke u mbështetur gjithnjë e më shumë edhe te emra si Ferran Torres, Rashford apo Dani Olmo.

Nëse një ofertë e majme do të mbërrinte, e cila do të siguronte fitim për klubin dhe kontratë më të gjatë për lojtarin, “divorci” do të ishte shumë i mundshëm. Lewandowski ka kushtuar 45 milionë euro plus 5 milionë në bonuse, dhe një ofertë e mirë do të ishte e pranueshme nga të dyja palët.

Për momentin, ylli polak duket i përqendruar te sezoni i ri me Barcelonën, por gjithçka mbetet e hapur në një merkato që po tronditet gjithnjë e më shumë nga ndikimi financiar i Ligës Saudite.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll