Sport

Menaxherja kontraverse e të birit: "Ata duan të më bëjnë të dukem si e çmendur"...

Gruaja më e fuqishme në futbollin francez flet hapur: betejat e saj me PSG-në dhe Juventusin, detajet prapa skenave të grindjes së saj me klanin Mbappé...

30 Korrik 2025, 13:30 Nga DOSJA

Menaxherja kontraverse e të birit: "Ata duan të më

FRANCE - Veronique Rabiot, nëna e ish-mesfushorit të Juventusit, Adrien, u përgjigjet kritikave të shumta të marra gjatë viteve…

Një “ UFO në botën e futbollit”, një nga figurat më të fuqishme, kontraverse dhe të frikshme në tregun  evropian të transferimeve. Véronique Rabiot, nëna dhe agjente e ish-mesfushorit të Juventusit, Adrien Rabiot, është shumë më tepër sesa një agjente e thjeshtë: ajo është një negociatore e paepur që mbron interesat e djalit të saj pa kompromis, duke u përplasur me klubet, menaxherët dhe madje edhe prindërit e kampionëve të tjerë.

Në një intervistë të rrallë dhe shpërthyese të dhënë gazetës franceze L'Équipe, ajo u përgjigjet në të njëjtën mënyrë kritikëve, tregon të vërtetën e saj rreth episodeve të famshme dhe pohon me krenari rolin e saj në një mjedis, që ajo e përcakton si shovinist. Një portret i pafiltruar i një gruaje që nuk ka frikë nga askush.

Për imazhin e saj publik? "Lexoj gjëra në të cilat nuk e njoh veten fare. Do të doja ende të kishte më pak thashetheme për mua. Ndonjëherë jemi vërtet në sferën e trillimeve. Atyre u pëlqen të më bëjnë të dukem gjysmë e çmendur. Por jam shumë e lumtur që e shoh Adrienin duke jetuar pasionin e tij. Gjithmonë e shoh gotën gjysmë plot."

Beteja e saj për kushte të kontratës? "Nuk duhet të ketë shantazh apo abuzim me pushtetin për të detyruar lojtarët të zgjasin kontratat e tyre. Te PSG, Adrien nuk donte të qëndronte dhe kur ata nuk mundën të arrinin një marrëveshje, ai e ndërpreu kontratën e tij. Te Juventus (në vitin 2024), rrethanat diktuan largimin e tij. Megjithatë, nuk është faji im që ata nuk e shitën kur patën mundësinë."

Transferimi i dështuar te Manchester United? "Në vitin 2022, Adrien ishte gati të largohej nga Juve, e cila ishte kualifikuar për Ligën e Kampionëve, për te Manchester United, i cili nuk e kishte arritur këtë. Diskutuam kushtet dhe në fund më thanë: nëse nuk kualifikohemi për Ligën e Kampionëve në fund të sezonit të ardhshëm, paga e Adrien do të ulet. E gjeta shumë të ekzagjeruar dhe shumë mungesë respekti. Thashë: Në rregull, ndalo. Ata menduan se ishte një strategji për të marrë më shumë. Por jo, ishte çështje parimesh, jo parash. Natyrisht, i habiti. Ata nuk janë mësuar me të."

E vërteta rreth sherrit me familjen Mbappé? "Shumë gënjeshtra. Disa njerëz po flisnin për sherre. A e dini se çfarë është një sherr? Unë thjesht i pëshpërita në vesh Wilfried Mbappés se, nëse do të ishte djali im, do t'i kisha bërtitur. Dhe ai u përgjigj: 'Jo, nuk do ta bëja.' Sa i përket Fayzës (nënës së Mbappés), ne biseduam jashtë tribunave."

Mbi makinizmin në futboll? “Cilat janë kodet? Që duhet të jesh agjent mashkull? Pra, po, unë jam një grua, jam nëna e tij, por pse nuk do të ishte e mundur kjo? Ka pilote femra, ushtare femra. Gratë janë kudo. Dhe ato nuk mund ta menaxhojnë karrierën e një futbollisti? Unë kurrë nuk kam keqardhje. Kur marr vendime, i marr ato. Nuk mund t’i bësh kurrë të gjitha siç duhet. Ndonjëherë bën gabime. Por gjithmonë mund t’i rregullojmë; nuk je kurrë plotësisht i gabuar.”

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll