Aktualitet

Skema ndaj Kushtetueses/ KED 2019 i raportoi dy gjyqtarët me mandat të plotë, KED e Sadushit sot tenton zhbërjen

Dy gjygjtarët janë betuar për mandat të plotë! Ja dokumenti i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019 ku mandati i Toskës dhe Muçit paraqitet i plotë.

21 Korrik 2025, 14:05 Nga M.B
Skema ndaj Kushtetueses/ KED 2019 i raportoi dy gjyqtarët me mandat të
Foto ilustruese

TIRANA- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi vijon "rrugëtimin" me qëllim e qartë, rrëmbimin e të paktën tre mandateve të Gjykatës Kushtetuese, por po kaq të qarta janë edhe faktet se e gjitha kjo është një skemë e ngjashëm me një puç kushtetues. Skema e Sadushit bazohet te fakti se përsa kohë është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të ketë mundësinë që të “caktojë” tre gjyqtarë kushtetues, nëpërmjet rrëmbimit të mandateve aktuale.

Ndërkohë raportin vjetor të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019, që mban firmën e kryetarit Ardian Dovrani shkruhet qartësisht se me vendimet nr.128 dhe nr.129 datë 21.09.2019 janë miratuar Lista Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe Raporti i Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar në lidhje me vendin vakant, vakancë (mandat) e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018. Në këtë lishtë për vakancën e plotë renditen dhe Elsa Toska, por edhe Besnik Muçi.

Gjithashtu po në këtë raport në pikën më poshtë shkruhet se me vendimet nr. 130 dhe nr. 131 datë 21.09.2019 janë miratuar Lista Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe Raporti i Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar në lidhje me vendin vakant, vakancë (mandat) e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Republikës në datën 12.02.2018. Sërish edhe në këtë pikë të miratimit përfundimtar të listave të renditjes së kandidatëve të Kushtetueses me vakancë të plotë janë edhe emrat e Elsa Toskës dhe Besnik Muçit.

Pjesë nga raporti vjetor i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019:

1. Me vendimet nr.128 dhe nr.129 datë 21.09.2019 janë miratuar Lista Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe Raporti i Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar në lidhje me vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, me renditjen si më poshtë:

1) Arta Vorpsi 89.642 Pikë

2) Elsa Toska 85.428 Pikë

3) Besnik Muçi 81.928 Pikë

4) Regleta Panajoti 80.285 Pikë

2. Me vendimet nr. 130 dhe nr. 131 datë 21.09.2019 janë miratuar Lista Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe Raporti i Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar në lidhje me vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Republikës në datën 12.02.2018, me renditjen si më poshtë:

1) Arta Vorpsi 89.642 Pike

2) Elsa Toska 85.428 Pikë

3) Besnik Muçi 81.928 Pike.

Skema ndaj Kushtetueses/ KED 2019 i raportoi dy gjyqtarët me mandat të

Historia e tentativave për rrëmbimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka nisur prej disa muajsh. Kuvendi i Shqipërisë shpalli procedurat për zëvendësimin e gjyqtares Elsa Toska, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen në Shtator të vitit 2024.

Gjyqtarja Toska ishte emëruar në vitin 2019 për një mandat 9-vjeçar dhe mandati i saj përfundonte në vitin 2028. Parlamenti, bazuar në praktikën rutinore dhe kushtetuese të zgjedhjes së saj, shpalli thirrjen për plotësimin e vakancës. Gjyqtari i ri do të duhet të qëndronte në detyrë deri në përfundim të mandatit të Toskës, pra në 2028.

Por, Sokol Sadushi, fillimisht duke përdorur të emëruarit e tij në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe më pas vetë, si kryetar i Gjykatës së Lartë e si drejtues i KED-it, nisi një fushatë kritikash për qëndrimin e Kuvendit, duke marrë rolin e promotorit për të nxitur një krizë të rëndë kushtetuese dhe institucionale.

Në vijim të përpjekjeve të Sadushit për të rrëmbyer mandate në Gjykatën Kushtetuese, ai vuri në lëvizje edhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për të kërkuar nga ajo gjykatë interpretimin e mandateve të të gjithë anëtarëve të saj, me qëllim ndërprerjen anti-kushtetuese të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja.

Gjyqtarja e dorëhequr, Elsa Toska ishte emëruar në detyrë për një mandat 9-vjeçar dhe i përfundonte në 2028. Gjyqtarja Sonila Bejtja u emërua në detyrë në vitin 2020, në vendin e krijuar vakant nga shkarkimi nga detyra i gjyqtarit Besnik Muçi. Ish-gjyqtari Muçi mbaronte mandatin në vitin 2028, gjë që do të thotë se edhe pasardhësja e tij, Bejtja, qëndron në detyrë deri në atë vit.

Kohëzgjatja e mandatit, por sidomos paprekshmëria e afatit, është një ndër elementët thelbësorë të pavarësisë së gjyqtarëve, siç parashikohet në Kushtetutë dhe në praktikën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese. Dy gjyqtaret e dinin që në momentin e kandidimit për kohëzgjatjen e mandatit të tyre dhe skema për ndërprerjen e parakohshme të tyre është një lëvizje tërësisht anti-kushtetuese.

gjykata kushtetuese

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll