Sport

Një femër, për herë të parë do të drejtojë një ekip meshkujsh në Brazil…

Jelena Todorovic, një serbe 31-vjeçare, do të jetë trajnerja e re e Fortalezës.

19 Korrik 2025, 10:00 Nga DOSJA

 

Një femër, për herë të parë do të

BRAZIL - Për herë të parë në historinë e basketbollit profesionist brazilian, një grua do të drejtojë një ekip meshkujsh. Serbo-australiania Jelena Todorovic do të jetë trajnerja e re e Fortalezas, njoftoi të premten Liga Braziliane e Basketbollit.

E lindur në Serbi dhe me shtetësi australiane, Todorovic, vetëm 31 vjeç, ka një karrierë të shkëlqyer dhe ka qenë një trajnere kyçe në zhvillimin e figurave ndërkombëtare si greku Giannis Antetokounmpo dhe australianët, Patty Mills dhe Josh Giddey, të gjithë me histori në NBA.

"Jam këtu jo vetëm si trajnere, por edhe si përfaqësuese e familjes sime, e popullit tim dhe e vendit tim. Dhe jam plotësisht e përkushtuar për të lënë një gjurmë të rëndësishme dhe të qëndrueshme në basketbollin brazilian. Një gjurmë që tejkalon fitoret dhe humbjet dhe arrin zemrën e komunitetit", deklaroi trajnerja e re një ditë më parë gjatë prezantimit të saj zyrtar.

Për Todorovicin, roli i trajnerit nuk është diçka që ajo e sheh si një çështje gjinore, por më tepër si të qenit "personi i duhur" për punën.

"Dhe kam punuar shumë për t'u bërë ky person", theksoi ajo, jo pa theksuar më parë trashëgiminë që Serbia ka lënë në basketbollin botëror, për të cilën tha se është "shumë krenare".

Sipas një deklarate nga Liga Braziliane, trajnerja e re ka luajtur me Crvena Zvezdën në Serbi, ku më vonë punoi si trajnere në kategoritë e të rinjve.

Në vitin 2013, ajo u transferua në Australi. Atje, ajo konsolidoi karrierën e saj si asistente trajnere për disa ekipe deri në vitin 2022, kur u kthye në vendin e saj të lindjes për t'u bërë asistente trajnere e ekipit kombëtar serb.

Një vit më vonë ajo u bashkua me stafin e trajnerëve të ekipit kombëtar grek, së bashku me të famshmin Dimitris Itoudis, një nga figurat më të shquara në Euroligë, dhe në vitin 2024 u bashkua me stafin e trajnerëve të ekipit kombëtar spanjol.

Vitin e kaluar ajo shërbeu gjithashtu në këshillin e trajnerëve të Euroligës, ku ndoqi nga afër punën e klubeve të tilla si Real Madrid, Anadolu Efes dhe Bayern Munich, ndër të tjera. 

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll