Aktualitet

Situata e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes: Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra! 4 janë ende aktive

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë.

15 Korrik 2025, 11:05 Nga N.F
Situata e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes: Gjatë 24 orëve të
Foto

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije ditën e sotme se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri. Sipas Ministrisë 4 vatra janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë.

Aktualisht mbeten aktive vatrat në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Me gjithë punën e bërë nga forcat operacionale në terren, nuk është arritur të vihet nën kontroll zjarri, pasi ka patur shtrirje të madhe të vatrës. Territori i thepisur dhe era kanë ndihmuar zhvillimin e zjarrit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 150 ha. Sot forcave u janë bashkuar edhe 100 forca nga FA.

Mësohet se është riaktivizuar vatra e zjarrit në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, i zhvilluar në drejtim të “Majës së Vlashes". Zjarri është zhvilluar në dy vatra ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era. Vijon operacioni për izolimin e vatrës në fshatin Arras. Forcat po punojnë për të shmangur rrezikun për banesat, pasi era ndihmon përhapjen e flakëve drejt fshatit Shumbat të njësisë administrative Sllovë.

Në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Gjatë natës, vatra e zjarrit ka përparuar në thellësi të masivit pyjor, duke marrë një shtrirje edhe më të gjerë. Sot ka filluar operacioni me 13 forca nga MZSH Mallakastër, 15 forca bashkiake dhe 30 forca nga FA.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 292 hektarë sipërfaqe, mbi 1000 rrënjë kumbulla, qershi e ullinj. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 394 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 130 efektivë dhe 1 Helikopter.

ministria e mbrojtjes zjarret ne shqiperi

Sondazh

Poll