Aktualitet

SPAK sekuestron një vilë luksoze dhe një "Lamborghini" në Palasë, pasuritë në emër të 44-vjeçarit të akuzuar për trafik narkotikësh

Në momentin e nisjes së hetimeve në Shqipëri, Miftari ndodhej i ndaluar në një burg në Frankfurt, nën akuzën e përfshirjes në trafik të lëndëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, përgjatë një periudhe pesëvjeçare.

13 Korrik 2025, 19:43 Nga r.ll
SPAK sekuestron një vilë luksoze dhe një "Lamborghini"
spak

HIMARË- Një vilë luksoze dhe një automjet i tipit “Lamborghini Aventador” janë sekuestruar në bregdetin e Palasës me kërkesë të autoriteteve gjermane të drejtësisë në bashkëpunim me SPAK. 

Sekuestrimet kanë ardhur në kuadër të një aksioni të ndërmarrë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të Visar Miftarit, 44 vjeç. Ky i fundit akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa dyshohet se edhe pasuritë janë përfituar nga aktivitet kriminal.

Sipas raportimeve, hetimet në Shqipëri kanë nisur në mars të këtij viti, pas një kërkese nga autoritetet gjermane. Në momentin e nisjes së hetimeve në Shqipëri, Miftari ndodhej i ndaluar në një burg në Frankfurt, nën akuzën e përfshirjes në trafik të lëndëve narkotike, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, përgjatë një periudhe pesëvjeçare.

Sipas vendimeve gjyqësore gjermane, Visar Miftari akuzohet si pjesë e një bande të strukturuar kriminale, që ka vepruar në territorin gjerman duke trafikuar drogë dhe duke përfituar të paktën 11.2 milionë euro nga ky aktivitet. Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria e Frankfurtit dhe u shtri edhe në Shqipëri pas dyshimeve se një pjesë e fitimeve ishin kanalizuar në pasuri të paluajtshme.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi sekuestro preventive për vilën dhe automjetin, duke i kaluar ato në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. 

visar miftari spak palase

Sondazh

Poll