Politike

Berisha në Kavajë: Sakrifica sublime e të riut Josif Budo u shndërrua në frymëzim dhe dritë për mbarë shqiptarët

Në fjalën e tij, gjatë përurimit të shtatores së Dëshmorit të Parë të Demokracisë, Josif Budo, Berisha theksoi se Kavaja falë Budos është qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste. 

10 Korrik 2025, 11:31 Nga I.A

Berisha në Kavajë: Sakrifica sublime e të riut Josif Budo u

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se gjaku dhe sakrifica e Josif Budo u kthyen në dritë dhe frymëzim për të gjithë shqiptarët. Në fjalën e tij, gjatë përurimit të shtatores së Dëshmorit të Parë të Demokracisë, Josif Budo, Berisha theksoi se Kavaja falë Budos është qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste. 

Berisha kujtoi se më 10 korrik 1990, ndërsa regjimi komunist përpiqej të mbyste zërin e lirisë pas ngjarjeve të ambasadave në Tiranë, iu kthye Kavajës për të shtypur shpirtin antikomunist, por u përball me vendosmërinë e një qyteti që kishte bërë tashmë zgjedhjen e tij historike.

"Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt ju, qytetareve dhe qytetarëve të Kavajës, të pranishëm në këtë shesh dhe kudo që jeni, që nderoni së bashku heroin e parë të demokracisë në Shqipëri, birin tuaj të pavdekshëm, Josif Budo. Të dashur familjare dhe familjarë të heroit të demokracisë, Josif Budo. I dashur ambasador ëerner Daum, mik i përjetshëm i lirisë së shqiptarëve. I dashur kryetari i bashkisë, Fisnik Qosja. Të dashur deputetë, deputete, drejtues të PD.

Sot ne mblidhemi për inaugurimin e shtatores të heroit të parë të demokracisë, të riut Josif Budo, gjaku i të cilit, sakrifica sublime e të cilit, u shndërrua në frymëzim dhe dritë për mbarë shqiptarët. Por të vërtetë u shndërrua në çlirim dhe liri për qytetin e tij të dashur, për Kavajën. Me 10 korrik të vitit 1990, diktatura në grahmat e fundit, pasi arriti të dominojë kryengritjen e parë paqësore të ambasadave më 2 korrik në Tiranë, u kthye në Kavajë me bindjen se do t’i jepte edhe qytetit, grupeve të tij antikomuniste, shpirtit liridashës të qytetarëve të Kavajës, goditjen e madhe dhe do të mbante në Shqipëri përsëri Perden e Hekurt.

Por, hesapet, llogaritë ishin krejtësisht të gabuara. Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste më 26 mars, i burrave dhe grave të pamposhtur, e priti me sakrificën e Josif Budos dhe trimërinë e burrave dhe grave të saj, diktaturën, falangat e saj të krimit. Qëndroi e pamposhtur dhe përcolli me dinjitet të madh, siç e meritonte, heroin e vet në banesën e fundit, në banesën e pavdekësisë," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll