Sport

Champions League / Egnatia fiton takimin e parë ndaj islandezëve!

Skuadra nga Rrogozhina triumfoi me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar në minutat shtesë nga Ildi Gruda, sulmues që vetëm pak ditë më parë kishte firmosur me klubin.

8 Korrik 2025, 23:37 Nga DOSJA
Champions League / Egnatia fiton takimin e parë ndaj islandezëve!

RROGOZHINE - Egnatia ka shkruar një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e saj, duke e nisur me fitore aventurën në Champions League.

Në ndeshjen e parë ndaj islandezëve të Breidablik, skuadra nga Rrogozhina triumfoi me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar në minutat shtesë nga Ildi Gruda, sulmues që vetëm pak ditë më parë kishte firmosur me klubin.

Takimi u karakterizua nga dominimi i Egnatias dhe nga rastet e shumta të shpërdoruara. Në minutën e 18-të, pas një kombinimi të bukur midis Fangajt dhe Lushkjes, ky i fundit pati mundësinë të zhbllokonte rezultatin, por tentativa iu bllokua dhe më pas Selmani nuk arriti të mposhtte portierin islandez.

Edhe në pjesën e dytë, Egnatia vazhdoi të ushtronte presion, por fati nuk ishte në anën e saj. Bakajoko humbi disa raste të arta si për të treguar se skuadra rrogozhinase e meritonte fitoren, por portieri kundërshtar dhe shtyllat dukeshin se do ta ndalnin suksesin.

Kur gjithçka dukej e mbyllur në barazim, në minutën e tretë të shtesës, doli në skenë Ildi Gruda, i cili pas një topi të gjatë nga mbrojtja, kontrolloi bukur dhe me një goditje të saktë mposhti portierin e Breidablik. Një gol që shpërtheu festën në stadiumin e Rrogozhinës, duke i dhënë Egnatias një avantazh të çmuar për sfidën e kthimit.

Ndërkohë skuadra e Dritës së Gjilanit ka marrë një fitore të rëndësishme në përballjen e parë kundër ekipit luksemburgas, FC Differdange 03, në raundin e parë të ndeshjeve kualifikuese për UEFA Champions League. Takimi i zhvilluar në Gjilan dhe përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të ekipit nga Kosova.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll