Politike

Vendimi më i lartë i gjyqësorit la në burg Erion Veliajn, bashkia e Tiranës drejt zgjedhjeve për kryetarin e ri

Të gjitha kërkesat e tjera që janë bërë nga ai në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, për t'u liruar nga burgu janë rrëzuar.

8 Korrik 2025, 15:18 Nga r.ll
Vendimi më i lartë i gjyqësorit la në burg Erion Veliajn,
erion veliaj

TIRANË- Gjykata e Lartë ka vendosur sot që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë qëndrimin në qeli. Ai kishte kërkuar në Gjykatën e Lartë ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, por kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese.

Vendimi i sotëm është dhe vendimi më i lartë i gjyqësorit që vendosi vazhdimin e qëndrimit në burg për Veliajn. Të gjitha kërkesat e tjera që janë bërë nga ai në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, për t'u liruar nga burgu janë rrëzuar.

Konkretisht, më 9 qershor Apeli i Gjykatës së Posaçme rrëzoi kërkesën e tij për lirimin nga qelia me garanci pasurore, duke lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" të caktuar ndaj tij.  Më 17 qershor Gjykata e Posaçme la sërish në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn. Më 24 prill Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi po ashtu kërkesën e kryebashkiakut për heqjen e sekuestros së celularit. 

Në të tilla kushte duket se bashkia më e madhe në vend po shkon drejt zgjedhjeve për kryetarin e ri të saj. Aktualisht kryetare e komanduar është Anuela Ristani e cila u caktua nga kryeministri Edi Rama pas burgosjes së Veliajt. 

Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje". 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

erion veliaj gjykata e larte

Sondazh

Poll