Politike

Kërcënimi me bombë në Kuvend, Kurti: Konfirmimi se telefonata vinte nga Serbia dëshmon luftën e tyre hibride ndaj Kosovës

Kurti përgëzoi institucionet për atë që ai e cilësoi reagim të shpejtë dhe profesional.

6 Korrik 2025, 16:22 Nga r.ll
Kërcënimi me bombë në Kuvend, Kurti: Konfirmimi se
albin kurti

KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale, reagimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, lidhur me kërcënimin e djeshëm më bombë në Kuvend. Kurti përgëzoi institucionet për atë që ai e cilësoi reagim të shpejtë dhe profesional. Ai shprehet gjithashtu se konfirmimi se ky kërcënim e kishte origjinën nga Serbia, dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional. Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, thuhet në postimin e Kurtit.

 

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla u shpreh më heret se kërcënimi me bombë në Kuvend është bërë nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, konkretisht nga kompania telefonike MTS, dhe përdoruesi i tij është identifikuar si Lazar Zivkoviç.

Hetimet e para kanë zbuluar se në disa profile të lidhura me këtë numër është përdorur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mladiç duke e lidhur rastin me grupe ekstremiste dhe anti-Kosovë. Ministri ka nënvizuar se institucionet e Kosovës po e trajtojnë këtë rast me prioritet të lartë dhe se do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës për këtë akt kërcënues.

Policia e Kosovës dje pas alarmit për mjet shpërthyes në objektin e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se kërcënimi ishte bërë përmes një thirrjeje telefonike që ka ardhur nga një numër me origjinë të dyshuar nga Serbia.

albin kurti

Sondazh

Poll