Aktualitet

3 vite për një certifikatë pronësie, përfundojnë sorollatjet e qytetares

Pas aplikimit merr përgjigjen që duhet plan rilevimi të cilin e çon, por sërish nuk merr zgjidhje. Noterja Dervishi në Berat thotë se ka bërë disa herë aplikimin, por problemi ka ngecur te plani i rilevimit që nuk përputhet ai në letër me atë në terren.

4 Korrik 2025, 21:47 Nga E. D
3 vite për një certifikatë pronësie, përfundojnë
foto ilustruese

DIMAL- Bejaze Kaso nga fshati Poshnje i Dimalit thotë në emisionin “Stop” në Tv Klan se ka tre vjet që nuk po merr certifikatën e pronësisë për apartamentin e vëllait, nga i cili ka prokurë. Në vitin 2022 ajo bën aplikim përmes noteres së Beratit, Natasha Dervishi. Pas aplikimit merr përgjigjen që duhet plan rilevimi të cilin e çon, por sërish nuk merr zgjidhje. Noterja Dervishi në Berat thotë se ka bërë disa herë aplikimin, por problemi ka ngecur te plani i rilevimit që nuk përputhet ai në letër me atë në terren.

Qytetarja: Tani, ça t’u deshën dokumente, unë t’i kam prurë.

Noterja: Po!

Qytetarja: Si ta paguaj prapë?! Unë s’e kam marrë shërbimin.

Noterja: Po nuk e merr dot shërbimin. Nuk ka rrugë tjetër, se ke 3 AV 0. Është një praktikë e tillë në kadastër që në qoftë se zyra të jep 3 AV 0, domethënë bëjmë, bën një dokumenti, një përgjigje lidhur me të, bëjmë edhe një AV 0. Bëjmë prapë një përgjigje, bën prapë një AV 0. Në qoftë se ajo mbushet 3 herë, nuk ka të drejtë të futesh më pa pagesë. Nga dokumentat që kemi nxjerrë nga fillimi nga shteti, privatizimi etj, etj, kemi konkluduar te kjo dhe e vetmja gjë ka qenë vetëm harta që kërkohej.

Qytetarja: Ky është origjinali, Tasha.

Noterja: Kjo është e para, po është pa firmë elektronike. E kemi çuar këtë ne. U bë e reja, u bë kjo.

Qytetarja: Kjo është me firmë.

Noterja: Me firmë elektronike, po. Duhet kjo hartë, që duhet bërë siç thonë ata! Kanë një përgjigje nga zyra e regjistrimit të pasurive. Kjo është vetëm te plani i rilevimit ke ngecur.

Në kadastër thanë se plani i rilevimit, duhet të jetë me 50 metra katrorë siç është apartamenti.

“Stop”  takon inxhinierin Ingrid Shkëmbi, i cili tha se ka shumë raste të tilla, pasi matjet e mëparshme kanë qenë gabim dhe ndryshon fakti me letrat. Por ai premtoi të bënte një tjetër plan rilevimi, pa pagesë shtesë.

Inxhinieri Ingrid Shkëmbi: Këta e kërkojnë 50, ta çojmë 50?

Gazetarja: Po.

Inxhinieri Ingrid Shkëmbi: Ia çojmë 50. Matjet ashtu janë bërë atëherë, asnjëherë s’janë bërë të sakta, nuk është i vetmi rast, të gjitha rastet që kam pasur unë, vete e mat në vend, më del 60, në kontratë më del 50. Unë po e korrigjoj këtë planin dhe po ia dërgoj zonjës.

Gazetarja: Do të paguajë shtesë Bejazja për këtë gjë?

Inxhinieri Ingrid Shkëmbi: Jo, asgjë fare, asgjë!

Pas gjithë këtyre hapave, Bejaze Kaso njofton se mundi të marrë certifikatën e pronësisë pas 3 vjetësh sorollatje./tvklan.al

Sondazh

Poll