Aktualitet

“Ma Shqip me Flamur Vezaj”/ "Vinin të dehur në punë!" Ish-gjyqtarja: Vetingu ka larguar prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, por ka hequr edhe ata që duhej të shkarkoheshin

Nis rrugëtimin podcasti “Ma Shqip me Flamur Vezaj”, ku gjërat thuhen troç dhe pa frikë për gjithçka, nga Bostoni. E ftuar në episodin e parë është Dr. Rezarta Mataj, ish-gjyqtare në Shqipëri dhe aktualisht prokurore në SHBA. Ajo rrëfen presionet ndaj drejtësisë nga presidenti Trump në SHBA dhe kryeministri Rama në Shqipëri.

4 Korrik 2025, 20:07 Nga M.B
“Ma Shqip me Flamur Vezaj”/ "Vinin të dehur në
Foto nga podcast-i

BOSTON – Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, znj. Rezarta Mataj, tashmë me detyrë prokurore në SHBA, flet pa doreza për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në një rrëfim ekskluziv për podcastin “Ma Shqip” me gazetarin Flamur Vezaj, ajo tregon vështirësitë e karrierës së saj, kolegët e dehur, presionet politike, ndërhyrjet e kryeministrit Edi Rama, përplasjen me ish-ministrin e Drejtësisë Nasip Naço, telefonatat dhe “negociatorët” e pushtetit.

Ajo flet për rekrutimet nga Shkolla e Magjistraturës dhe ndryshimet në cilësinë e drejtësisë, për reformën që solli institucione të reja, por që sipas saj, siç thonë edhe kolegët e saj në Shqipëri, kanë ndërruar vetëm emrat, jo thelbin. Vetingu, sipas saj, ka larguar dhe të ndershmit, ndërsa në sistem kanë mbetur gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Disa prej të shkarkuarve, shton ajo, e meritonin, pasi shfaqeshin të dehur në sallat e gjyqit apo kishin mungesa të theksuara profesionale.

Në rrëfimin e saj, Mataj flet edhe për diskriminimin nga KLD-ja, vuajtjet personale, paditë për shpifje e deri te arrestimi i një avokati për mashtrim. Sipas saj, është e pafalshme që edhe pas më shumë se 30 vitesh demokraci, qytetarët duhet të presin me vite për përfundimin e një procesi gjyqësor, një problem që reforma e re nuk e ka zgjidhur. 

"Duhet t’u japim kohë institucioneve të reja, si SPAK apo gjykatave, sepse po ndërtohet gjithçka nga e para edhe pse proceset e tejzgjatura janë shkelje e të drejtave të njeriut”, thotë Mataj.

A është reforma në drejtësi sukses apo dështim? Mataj flet për KLGJ, KLP, ILD dhe për SPAK-un, që sipas saj ka rikthyer njëfarë besimi te qytetarët, por ka ende shumë për të provuar. Ajo rrëfen edhe vështirësitë e jetës në SHBA, mbështetjen nga komuniteti shqiptar dhe suksesin e saj në përfundimin e shkollës juridike amerikane. Sot, si prokurore në Arizona, ajo ka marrë tre licenca për të ushtruar profesionin e avokates në tri shtete të ndryshme dhe punon edhe si pedagoge, duke dhënë mesazhe të vlefshme për studentët shqiptarë që duan të ndjekin rrugën e saj.

Në këtë rrëfim të sinqertë, ajo krahason drejtësinë shqiptare me atë amerikane dhe ndan përvojat e saj si nënë, profesioniste dhe emigrante. Ndërkohë, sipas gazetarit Flamur Vezaj, podcasti “MaShqip” do të jetë një dritare për të gjithë shqiptarët që kanë diçka për të treguar, qoftë sukses apo dështim.

“Do të flas për problemet që kanë Shqipëria dhe Kosova, si keqqeverisja, korrupsioni, abuzimi me pushtetin, padrejtësitë në drejtësi, krimi i organizuar, kriminelët që janë bërë biznesmenë të ‘ndershëm’ me ndihmën e politikës, ‘investitorët strategjikë’ me probleme ligjore, përfituesit e padrejtë të pasurive publike, zyrtarët e korruptuar dhe shkeljet e të drejtave të njeriut”, – thotë Vezaj, gazetar investigativ me mbi dy dekada përvojë në Shqipëri.

Ai thekson se “Ma Shqip” nuk do të ndalet vetëm te e keqja.

“Do të promovojmë edhe të mirat, sidomos sukseset e shqiptarëve në diasporë, individë, kompani dhe organizata që i shërbejnë komunitetit shqiptar dhe që ruajnë traditën dhe kulturën tonë. Do të flasim me personalitete të suksesshme në SHBA dhe kudo në botë, që me meritokraci kanë arritur majat,” –shton ai.

“Ma Shqip” do të jetë edhe një platformë informimi për shqiptarët që jetojnë në SHBA ose planifikojnë të vijnë: si të gjejnë punë, si të blejnë shtëpi, si funksionojnë taksat, ku të drejtohen për ndihmë ligjore apo komunitare dhe si të integrohen në jetën amerikane.

 

flamur vezaj ma shqip

Sondazh

Poll