Bota

Sanchez këmbëngul: Shpenzimet aktuale të mbrojtjes janë të mjaftueshme!

Sanchez javën e kaluar bëri thirrje që Spanja të përjashtohet nga kërkesa e NATO-s për 5% të shpenzimeve të mbrojtjes, një kërkesë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte e hodhi poshtë publikisht.

25 Qershor 2025, 17:14 Nga N.F
Sanchez këmbëngul: Shpenzimet aktuale të mbrojtjes janë
Foto

HAGË- Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez në fund të samitit në Hagë ka këmbëngulur se Spanja do të përmbushë objektivat e reja të dakordësuara nga shtetet anëtare të NATO-s por i konsideron shpenzimet aktuale të mbrojtjes prej 2% të PBB-së së vendit të mjaftueshme, realiste dhe të pajtueshme me shtetin e mirëqenies.

Sanchez javën e kaluar bëri thirrje që Spanja të përjashtohet nga kërkesa e NATO-s për 5% të shpenzimeve të mbrojtjes, një kërkesë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte e hodhi poshtë publikisht.

“Në samitin e sotëm, NATO fiton dhe Spanja fiton diçka shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, që është siguria dhe shteti i mirëqenies”, tha kryeministri spanjoll, duke këmbëngulur se Madridi do të respektojë angazhimet e tij ndaj Aleancës, ndërsa falënderoi aleatët për shfaqjen e respektit për sovranitetin e Spanjës.

Vendet anëtare të NATO-s përsëritën angazhimin e tyre të palëkundur për ndihmë të ndërsjellë dhe u zotuan të investojnë 5% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto në siguri gjatë një dekade deri në vitin 2035, në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në samit.

Konkretisht, aleatët e NATO-s do t'i kushtojnë të paktën 3.5% të PBB-së shpenzimeve ushtarake në kuptimin stricto sensu dhe një 1.5% shtesë për investime në siguri në kuptimin më të gjerë, siç është mbrojtja e infrastrukturës dhe rrjeteve kritike. Objektivi do të jetë i vështirë për t'u arritur, paralajmëruan shumë udhëheqës evropianë, përfshirë Spanjën, e cila e konsideron rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes iracionale.

Madridi thotë se mund të përmbushë angazhimet e tij ushtarake ndaj NATO-s duke shpenzuar shumë më pak - një pikëpamje që Rutte e kundërshtoi. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bëri një manovër diplomatike me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez si pjesë e përpjekjeve të tij intensive për t'i dhënë Presidentit të SHBA-së Trump një fitore diplomatike dhe për ta bërë samitin të zhvillohet pa probleme.

spanje nato

Sondazh

Poll