Bota

Kremlini: Nëse Khamenei do të vritet, do të hapet dhe "Kutia e Pandorës"! Situata është e rrezikshme për rajonin dhe gjithë botën

Moska është shqetësuar gjithnjë e më shumë për trajektoren e konfliktit, pasi ka frikë se mund të humbasë një partner kyç të Lindjes së Mesme.

20 Qershor 2025, 17:36 Nga r.ll
Kremlini: Nëse Khamenei do të vritet, do të hapet dhe "Kutia
foto ilustruese

MOSKË- Rusia ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, do të "hapte kutinë e Pandorës" dhe do të shkaktonte një përshkallëzim të rrezikshëm në të gjithë rajonin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha Sky News në Pallatin Constantine në Shën Petersburg të premten se ndryshimi i regjimit në Iran është "i papranueshëm", duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të nxiste "ndjenja ekstremiste" në vend.

"Ata që flasin për (vrasjen e Khameneit), duhet ta kenë parasysh. Ata do të hapin kutinë e Pandorës", paralajmëroi Peskov.  Komentet e tij erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të vendoste brenda dy javësh nëse do t'i bashkohej fushatës ushtarake të Izraelit kundër Teheranit. Trump kishte spekuluar më parë në internet rreth vrasjes së udhëheqësit iranian.

“Situata është jashtëzakonisht e tensionuar dhe e rrezikshme jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë botën.”, tha Peskov.

Moska është shqetësuar gjithnjë e më shumë për trajektoren e konfliktit, pasi ka frikë se mund të humbasë një partner kyç të Lindjes së Mesme. Irani dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik në janar, duke thelluar bashkëpunimin që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kur u pyet nëse Rusia do të hakmerrej nëse Khamenei do të vritej, Peskov tha se një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të brendshme në Iran. "Do të çonte në lindjen e atmosferave ekstremiste brenda Iranit", vuri në dukje ai.

Ndërsa Trump tha se e kishte refuzuar ofertën e ndërmjetësimit të Presidentit Vladimir Putin, duke i thënë atij të ndërmjetësonte konfliktin e vet, Peskov e minimizoi këtë vërejtje.

“Presidenti Trump ka mënyrën e tij unike të të folurit dhe gjuhën e tij unike”, tha ai. “Ne jemi mjaft tolerantë dhe presim që të gjithë të jenë tolerantë ndaj nesh.”

moske rusi dmitry peskov konflikti iran-izrael

Sondazh

Poll