Bota

Presidenti Macron zbulon planin evropian për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, ja katër pikat ku bazohet propozimi

Presidenti francez tha se disa nga objektet e Iranit janë të mbrojtura mirë dhe nuk dihet se ku ruhet i gjithë uraniumi i pasuruar.

20 Qershor 2025, 15:40 Nga r.ll
Presidenti Macron zbulon planin evropian për uljen e tensioneve në
macron

FRANCË- Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, njoftoi qëllimin e Francës dhe partnerëve të saj evropianë për të paraqitur sot në Gjenevë një propozim të strukturuar diplomatik ndaj Iranit për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

Duke folur me gazetarët në Le Bourget, pak jashtë Parisit, Macron theksoi se iniciativa evropiane synon të krijojë një dialog me Teheranin, me qëllim parandalimin e një zjarri të përgjithësuar dhe stabilizimin e rajonit.

Propozimi, sipas presidentit francez, bazohet në katër pika kryesore:

1. Rifillimi i bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), me qëllim arritjen graduale të "pasurimit zero" të uraniumit.

2. Mbikëqyrja ndërkombëtare e programit të raketave balistike të Iranit, i cili është një burim shqetësimi prej kohësh për sigurinë rajonale.

3. Kufizimi i financimit iranian për organizatat e armatosura paraushtarake që veprojnë në Liban, Gaza, Siri dhe Jemen.

4. Lirimi i shtetasve të huaj të mbajtur në burgjet iraniane, të cilët Franca dhe vende të tjera i përshkruajnë si "peng".

“Irani duhet të tregojë se është i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave dhe t’i përgjigjet propozimit evropian”, tha Macron, duke nënvizuar se iniciativa është një përpjekje e koordinuar evropiane.

Bisedimet në Gjenevë po zhvillohen në një kohë tensionesh në rritje në rajon, me përfshirjen e Iranit që shkakton shqetësim në kryeqytetet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare, për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore, testeve të raketave dhe mbështetjes për milicitë pro-iraniane.

presidenti francez emmanuel macron konflikti iran-izrael

Sondazh

Poll