Aktualitet

"Mungon një skeme shtetërore kompensimi!" Këshilli i Europës publikon raportin për Trafikimin e Qenieve Njerëzore: Në Shqipëri viktimat e prostitucionit nuk trajtohen si të tilla

Raporti, që mbulon periudhën 2020-2024, i kushton vëmendje të veçantë përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) për të kryer vepra penale të trafikimit të qenieve njerëzore.

18 Qershor 2025, 15:32 Nga M.B
"Mungon një skeme shtetërore kompensimi!" Këshilli i
Tirana

TIRANA- Grupi i Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Veprimet Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore ( GRETA ) ka publikuar një raport të ri për Shqipërinë ku nënvizon se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar mbrojtje, mbështetje dhe drejtësi efektive për viktimat. Raporti, që mbulon periudhën 2020-2024, i kushton vëmendje të veçantë përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) për të kryer vepra penale të trafikimit të qenieve njerëzore.

GRETA vëren se numri i viktimave të trafikimit të identifikuara zyrtarisht ka rënë (28 në vitet 2020-2024), në kontrast me rritjen e numrit të viktimave të supozuara (700). Sipas raportit, përqindja e lartë e viktimave fëmijë nxjerr në pah nevojën urgjente për shërbime më të forta për mbrojtjen e fëmijëve dhe masa efektive parandaluese.

Raporti vëren se fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë, si dhe anëtarët e komuniteteve të margjinalizuara, janë veçanërisht të prekshëm ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe shpesh nuk kanë qasje në kujdesin dhe mbrojtjen e duhur. Në këtë kontekst, GRETA rekomandon që autoritetet shqiptare të sigurojnë që fëmijëve të pashoqëruar t'u caktohen kujdestarë ligjorë dhe t'u ofrohet akomodim i sigurt. Gjithashtu, ajo u bën thirrje autoriteteve të forcojnë punën e ndërgjegjësimit dhe të informimit në komunitetet rome dhe egjiptiane.

Për më tepër, GRETA u kërkon autoriteteve shqiptare të sigurojnë që punëtorët emigrantë të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si punëtorët shqiptarë, të rrisin inspektimet e agjencive private të punësimit dhe sektorëve me rrezik të lartë shfrytëzimi, dhe të trajnojnë më tej inspektorët e punës dhe profesionistë të tjerë për luftimin e trafikimit me qëllim shfrytëzimin në punë.

Raporti thekson se vetëm dy viktima të trafikimit kanë marrë kompensim nga gjykatat që nga viti 2008. GRETA bën thirrje për akses më të mirë në ndihmë ligjore për viktimat e trafikimit, zbatim më të fortë të së drejtës së viktimave për kompensim dhe krijimin e një skeme shtetërore kompensimi për viktimat e trafikimit. Përveç kësaj, raporti rekomandon zgjerimin e kapaciteteve të hetimit dixhital dhe angazhimin me ofruesit e teknologjisë për të adresuar trafikimin e lehtësuar përmes platformave online.

Lidhur me çështjen e prostitucionit raporti vlerëson se në Shqipëri, edhe viktimat e trafikut trajtohen njëlloj si trafikantët. Raporti vlerëson se ka numër të ulët të ndjekjeve penale dhe dënimeve për trafikim, sidomos për trafikimin e fëmijëve. Sipas GRETA, në Shqipëri mungon akomodimi i përshtatshëm për viktimat meshkuj të trafikimit, përpos se këta njerëz kanë vështirësi për të hyrë në tregun e punës, për të përfituar trajnim profesional apo arsimim.

“Viktimat e trafikimit shpesh ndëshkohen për prostitucion, ndërkohë që duhet të konsideroheshin si viktima të trafikimit. Mungojnë programe për ndihmën e grave që duan të largohen nga prostitucioni dhe mungojnë politika për të ulur kërkesën për shërbime nga viktimat e trafikimit. Viktimat nuk përfitojnë kompensim nga shteti ose autorët e krimeve; vetëm dy viktima kanë marrë vendim gjykate për kompensim, por asnjë nuk e ka përfituar realisht”, thuhet në raport.

këshilli i europës tirana

Sondazh

Poll