Sport

Italia mbetet në udhëkryq, bie edhe hipoteza Piolit për trajner!

FIGC i ka dhënë vetes 48 orë kohë për të zgjedhur pasuesin e Spalletti-t. Kriteret janë tashmë të qarta: një trajner jo shumë i fiksuar me taktikën dhe me sens të mirë.

10 Qershor 2025, 17:38 Nga DOSJA
Italia mbetet në udhëkryq, bie edhe hipoteza Piolit për trajner!

ITALI - Stefano Pioli nuk do të jetë trajneri i radhës i Kombëtares Italiane. Ai ia ka dhënë fjalën Fiorentinës ku pritet të kthehet pas gjashtë vitesh. Në këtë pikë, pas refuzimit të Ranierit, për Gravina-n dhe drejtuesit federalë ka ardhur koha për reflektim.

FIGC i ka dhënë vetes 48 orë kohë për të zgjedhur pasuesin e Spalletti-t. Kriteret janë tashmë të qarta: një trajner jo shumë i fiksuar me taktikën dhe me sens të mirë. Një "normalizues", siç thuhet. Megjithatë, është e vështirë të gjesh një emër të besueshëm. Ancelotti dhe Allegri, personat idealë për rolin, tashmë janë të angazhuar me ekipe të tjera.

Do të mbetet Mancini, por marrëdhëniet me Gravina-n nuk janë aspak të mira pas largimit të tij nga Kombëtarja. Trajneri i Euro 2020 praktikisht u vetëkandidua ditët e fundit, duke thënë se pendohet për vendimin e tij dhe se, po të kishte mundësi, do të vazhdonte të drejtonte "azzurrët".

Zgjedhja e Mancio-s do të pritej me kënaqësi nga e gjithë Federata, e cila e sheh atë si kandidatin ideal. Por duhet bindur presidenti, i cili nuk e ka kapërdirë vendimin e ish-trajnerit për të lënë Kombëtaren në gusht të vitit 2023.

Në këtë pikë, mbeten vetëm dy emra në garë: Daniele De Rossi dhe Rino Gattuso. Në Federatë kanë kapërcyer dyshimet për moshën relativisht të re të kandidatëve. Ata janë dy heronj të vitit 2006, ku i pari nuk ka shumë përvojë në stol, por ka qenë pjesë e stafit teknik që fitoi Euron në 2021, ndërsa i dyti ka një të kaluar të rëndësishme si trajner, me Milanin, Napolin dhe aventurat jashtë Italisë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll