Politike

"Lëvizja Bashkë do vijojë misionin brenda dhe jashtë parlamentit"/ Qori: Kush ka devijuar votën, të vihet para përgjegjësisë penale

Qori tha se mosbashkimi i partive të reja, por edhe formacioneve politike të djathta me të gjithë faktorin opozitar, ishte një nga shkaqet kryesore të humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, ku u vu re edhe fenomeni i orientimit të votës.

10 Qershor 2025, 18:22 Nga E. D
"Lëvizja Bashkë do vijojë misionin brenda dhe jashtë
Arlind Qori

TIRANË- Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar se komisionerët dhe numëruesit që kanë vjedhur apo transferuar votat e kandidatëve brenda partive të tyre, por edhe mes subjekteve politike, duhet të përballen me ndjekjen penale. I ftuar në “Studio Live’ të Report Tv, Qori tha se mosbashkimi i partive të reja, por edhe formacioneve politike të djathta me të gjithë faktorin opozitar, ishte një nga shkaqet kryesore të humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, ku u vu re edhe fenomeni i orientimit të votës.

Qori mbështeti procesin e rinumërimit të votave në disa qarqe pas ankimimit të kandidatëve, duke shtuar se ka akuza e dyshime se partitë kanë vjedhur kandidatët e tyre. Ai kërkoi edhe përballjen e përgjegjësve me penalitete sipas ligjit nëse i kishin bërë me qëllim. Ai e cilësoi pozitiv rezultatin e Lëvizjes Bashkë, ku nga një parti joparlamentare, u kthye në një subjekt që do jetë në Kuvendin e ardhshëm me Redi Muçin.

Gjithashtu Qori hodhi edhe dyshime të forta se si disa kandidatë partish morën diferenca të mëdha votash nëpër periferi. Më tej ai theksoi se Lëvizja Bashkë do vijojë misionin e saj brenda dhe jashtë parlamentit.

“Rinumërimi i votave gjithmonë është një veprim pozitiv. Sepse bëhet verifikimi dhe ballafaqimi i procesit të votimit dhe votave, për të kuptuar vërtetë vullnetin e qytetarëve, rolin e numëruesve, por edhe nëse na duhet një model i ri numërimi, nëse ka gabime me ndryshim rezultati, nuk themi për gabime njerëzore, por për ato që kanë pasur qëllim të keq. Në fund të procesit të dali e vërteta dhe përgjegjësit. Përgjegjësit të përballen me Kodin Penal, sipas ligjit dhe ta vënë vëth në vesh. Na duhet model i ri votimi e numërimi, mjaft më me alabakë që rrine të dera e qendrës së votimit.

Ne kemi kontestuar disa kuti, ku ka dalë një apo dy vota më shumë nga procesverbali, por që nuk ndryshon rezultatin. Për të qenë korrekt i kemi verifikuar kutitë me anë të filmimeve. Por besoj se brenda kandidatëve mund të jetë bërë kërdia dhe ata që janë përgjegjës, nëse është bërë, të japin llogari. E cilësoj pozitiv rezultatin, nga një parti joparlamentare jemi kthyer në parlamentare. Nuk kemi pjesë e partisë deputetë apo zyrtarë, fakti që çam bllokadën institucionale, është shenjë e mirë. Donim rezultat më të mirë, por nuk ia dolëm. PS mori rezultat të thellë se përdori mekanizma të paligjshëm për ta arritur. Fakti që çamë pragun elektoral dhe të përfaqësohemi, kjo është shumë pozitive. Lëvizja Bashkë është parti antisistem, me ideale dhe virtyt, kundër atyre që cenojnë interesin publik. 

Do donim që zgjedhjet e tjera qytetari shqiptar të votojë si njeri normal. Qytetari shqiptar kam vënë re se ka ende frikë, se familjari i tij është në punë, se ka një biznes të vogël, shteti i ka në dorë, shumë qytetarë janë të lidhur pas shtetit me të drejta sociale të vogla, e që mund t’u hapen probleme. Aspekti tjetër është harxhimi i shumave të mëdha financiare nga partitë e mëdha në fushatë elektorale apo në zgjedhje. Si mund të jetë kjo garë e barabartë dhe e ndershme. Duhet t’i themi problemet. Shqipëria ka ndryshuar, sot vidhet ndryshe, jo me brutalitet, por më e sofistikuar. Në zona të ndryshme dallohet një rezultat i thellë, pushtet i jashtëzakonshëm, ku ka gangsterë me kostum dhe fustan, e ku ka shumë probleme, bie në sy. Si i morën votat partitë e gangsterëve nëpër periferi?

Një shembull është ministri i Brendshëm, që edhe për batutë e them, nuk ia mbaj mend as emrin, dhe arrin të marrë aq shumë vota. Se mund ta kuptoj për Erion Braçen dhe Pandeli Majkon, se janë të vjetër dhe votuesi i PS i voton, por ministrin e Brendshëm? Shumë njerëz votojnë Ramën edhe për inat të Berishës. Lëvizja Bashkë do vijojë misionin e saj brenda dhe jashtë parlamentit. Ne jemi parti e majtë. Qëndrim i njëjtë si në parlament ashtu edhe jashtë tij, për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Unë mendoj se zullumi do trashet dhe do këputet, pasi Rama me kaq shumë pushtet do shpërndajë edhe më shumë”, pëfundoi Qori.

arlind qori

Sondazh

Poll