Aktualitet

"Respektoni kodet profesionale dhe ligjin," AMA thirrje mediave: Ndaloni transmetimin e videos së vrasjes së Martin Canit! Publikimi i pamjeve përbëjnë abuzim

Ajo theksoi se gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim.

10 Qershor 2025, 17:42 Nga N.F
"Respektoni kodet profesionale dhe ligjin," AMA thirrje mediave:
Foto ilustruese

TIRANË- Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA ka reaguar në lidhje me publikimin e pamjeve të plagosjes së 14-vjeçarit Martin Cani i cili humbi jetën tragjikisht pas kësaj ngjarjeje. AMA shprehu shqetësim të thellë pas shpërndarjes së videove që shfaqin pamje të para dhe pas vrasjes së 14-vjeçarit.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi në një deklaratë për mediat u shpreh se AMA  e ka ndjekur me shumë shqetësim shpërndarjen e videos ndëraa u ka bërë thirrje të gjitha mediave të mos transmetojnë këto pamje, duke paralajmëruar masa ndëshkimore për shkelësit e ligjit.

Ajo theksoi se gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim. Sipas saj publikimi i pamjeve të tilla përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore.

Mesazhi i plotë:

Po ndjek me shumë shqetësim rrjedhën dhe shpejtësinë e shpërndarjes së një videoje që na kthen pas, në ngjarjen e rëndë që ndodhi në kryeqytet, nëntorin e vitit të kaluar, viktimë e së cilës mbeti një 14-vjeçar. Disa media po rendin të publikojnë pamjet e momentit të para dhe pas vrasjes së tij.

E mirëkuptoj ndjeshmërinë e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen që përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi, dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët kanë informuar dhe vazhdojnë të jenë të interesuar për ngjarjen apo hetimin që erdhi pas saj. E mirëkuptoj edhe dëshirën e mirë të tyre për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Por KUJDES! Gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim. Publikimi i pamjeve të tilla përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore. Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës, i bëj thirrje çdo OSHMA-je të mos transmetojë pamje të tilla

Të nderuar kolegë! Ruani etikën! Respektoni dhimbjen e humbjës së një fëmije! Respektoni kodet profesionale dhe ligjin! AMA është në ndjekje të çdo rasti dhe çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, por thirrja ime sot shkon për të gjithë profesionistët e medias që të mos lejojnë një shkelje që kushton shumë.

Mbetem shpresëplotë se reagimi i kolegëve të mi që drejtojnë edicionet informative dhe jo vetëm, do të jetë si i deritanishëm: I shpejtë, me përgjegjësi dhe konform ndërgjegjes njerëzore, etikës profesionale, por edhe standardeve e parashikuara në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në Kodin e Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare 'Fan Noli'. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.

Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital.

I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

ama vrasja e martin canit

Sondazh

Poll